Në Gjirokastër janë regjistruar gjashtë raste me lijën e dhenve. Sipas drejtoreshës së Arsimit në këtë qytet, Doriana Demo, kjo sëmundje është shfaqur në një periudhë të pazakontë duke shkaktuar shqetësim tek prindërit.
Ajo u bën thirrje prindërve të tregohen të kujdesshëm në rastet e shfaqjes së shenjave të para.
“Ne kemi pasur raste sporadike në çerdhe dhe një prej kopshteve, fëmijët janë distancuar, po mjekohen në shtëpi, vazhdimisht kemi lajmëruar prindërit, është kohë e pazakontë kjo për linë e dhenve.
Prindërit të jenë të kujdesshëm, që të mos i ngatërrojnë simptomat. Kemi pasur 6 raste në total, dhe nuk kemi pasur njoftime të tjera”, tha ajo.
Mbi 600 fëmijë të moshës 1 – 7 vjeç frekuentojnë institucionet e arsimit parashkollor në Bashkinë Gjirokastër, mbi 400 prej të cilëve janë në kopshtet dhe çerdhet e qytetit.