Presidenti i vendit Ilir Meta ka takuar sot dy përfaqësues të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Joseph O’Reilly dhe z. Asim Mollazada, që po vizitojnë Shqipërinë për mbledhjen e fakteve mbi situatën në Shqipëri.
Meta ka ndarë fotot nga takimi në Facebook ku shkruan se ky bashkëpunim do ti shërbejë vendin tonë për “tu ngjitur” në raportet ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takohesha me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me z. Joseph O’Reilly dhe z. Asim Mollazada, që po vizitojnë Shqipërinë për mbledhjen e fakteve mbi situatën në Shqipëri.
Mirëprita angazhimin e Asamblesë Parlamentare dhe strukturave të tjera të Këshillit të Europës, përfshirë Komisionin e Venecias, për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së medias në Shqipëri.
Gjatë takimit theksova rëndësinë e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të ngritura me shqetësim nga Parlamenti Europian, në rezolutën e tij të 19 majit.
Vura në dukje se fatkeqësisht Shqipëria vijon të zbresë shkallët e renditjes në të gjitha raportet ndërkombëtare që analizojnë nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së medias, lirive politike dhe ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Njëkohësisht, theksova rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në të ardhmen me Këshillin e Europës dhe të gjitha strukturat e tij.