Deputeti demokrat Belind Këlliçi, në fjalën e tij për gazetarët ka reaguar mbi deklaratën e mëparshme të Enkelejd Alibeaj për protestën e 7 korrikut.
Këlliçi u shpreh se thirrja e tij është absurde dhe se çdo shqiptar ka të drejtë të protestojë dhe se kushdo që tenton të mbysë zërin e qytetarëve është pro Ramës.
“Më vika keq nëse kjo ka ndodhur. Është absurde nëse kjo thirrje është bërë. Çdo shqiptar ka 1001 arsye për të dalë në protestë, kushto që do të mbysë zërin e qytetarëve është në shërbim të qeverisë.
Alibeaj apo çdo deputet i zgjedhur nga 25 prilli jemi zgjedhur për të qenë opozitë përballë Ramës, jo me Ramën.
Është absurde që të shkojmë në drejtim të gabuar. Nuk ka fuqi, zero. Nuk e kam parë deklaratën por më duket absurde”, tha ai.
Ndërsa deputetja Oriola Pampuri tha se opozita ka qenë gjithmonë mbështetëse e protestave. Sipas saj protesta e 7 korrikut është normale duke pasur parasysh situatën ekonomike me të cilën përballen familjet shqiptare.
“Nga 2013 opozita ka bërë protesta të panumërta. kjo është një protestë mëse normale në kushtet që ndodhemi. gjendja ekonomike është ekstremisht skandal, me paketë rezistence që nuk përballon jetesën. janë shqiptarët që duhet të jeni nismëtar të çdo proteste dhe ne ti mbështesim. Janë ata që duhet të bëhen shkas, të ftojnë politikanët.
Opozita ka qenë gjithmonë krah protestave.
PD ka qenë gjithnjë krah protestave, kemi qenë pre e gazit lotsjellës dhe prapë kemi qenë aty. Nuk kuptoj pse kjo protestë ka marrë kaq shumë bujë kur është mëse normale. Nëse nuk do të jem në një udhëtim pune që është i planifikuar sigurisht që do të jem”, tha ajo.