Grupi i Alibeajt kundër legalizimit të kanabisit: Betejë në të gjitha frontet për ta ndaluar! Licensat do i marrin miqtë e Ramës

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Enkelejd Aliebaj, kreu i Grupit Parlamentar të PD në Kuvend, reagon pas publikimit të projektligjit të Qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore në vend. Ai thotë se opozita do të bëjë betëjnë në të gjitha frontet për ” të ndaluar kriminalizimin e ekonomisë shqiptare.”

“Kriteret dhe procedurat e përcaktuara në projektligj, e bëjnë të qartë se lejet dhe licencat për këtë veprimtari do t’i përfitojnë vetëm miqtë dhe aleatët e Ramës. Kushdo e di se në një vend ku kriminaliteti dhe korrupsioni është në nivelet më të larta, mbajtja nën kontroll e kësaj veprimtarie është e pamundur”, shkruan ai.

Më tej, Alibeaj thotë se rritja e procedimeve me 42.92% dhe e të dënuarve me 66.67% gjatë vitit 2021 për veprat penale të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, tregon se mbajtja nën kontroll e kësaj veprimtarie është e pamundur.

Reagimi i plotë i Enkelejd Alibeajt, kreu i Grupit Parlamentar të PD në Kuvend

Edi Rama duket i vendosur t’i shkojë deri në fund marrëzisë së tij për legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Njeriu që në vitet 2015 – 2017 e mbushi gjithë Shqipërinë me kanabis, duke u shndërruar në një problem ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike, ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Njeriu që për shkak të problemeve me kanabisin, la vendin e tij në vendnumëro për vite të tëra në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Edi Rama pra, është kryeministri i vetëm në Evropë dhe më gjërë që ish-ministri i tij brendshëm gjendet në burg, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të kanabisit.

Por, të gjitha këto duket se ai ka harruar ose bën sikur, dhe tashmë nën maskën e kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale, kërkon të legalizojë prodhimin e kanabisit.

Kriteret dhe procedurat e përcaktuara në projektligj, e bëjnë të qartë se lejet dhe licencat për këtë veprimtari do t’i përfitojnë vetëm miqtë dhe aleatët e Ramës. Kushdo e di se në një vend ku kriminaliteti dhe korrupsioni është në nivelet më të larta, mbajtja nën kontroll e kësaj veprimtarie është e pamundur. Këtë e dëshmojnë edhe rritja e procedimeve me 42.92% dhe e të dënuarve me 66.67% gjatë vitit 2021 për veprat penale të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike (sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm). Aq më tepër, me një qeveri që ka treguar se drejtuesit e saj janë jo vetëm konsumatorë, por drejtpërdrejtë të përfshirë në trafikun e narkotikëve.

Prandaj, për Partinë Demokratike dhe Opozitën, qëndrimi ndaj kësaj marrëzie të pushtetit të Edi Ramës, duhet të jetë i qartë: Jo vetëm votë kundër në Parlament, por betejë në të gjitha frontet për të ndaluar kriminalizimin e ekonomisë shqiptare.

Zjarr Tv Ad