Partia Demokratike kërkoi sot dëgjesë me ministrin e drejtësisë, KLGj, KLP dhe Dhomën Kombëtare të Avokatëve për hartën e re gjyqësore.
Kërkesën e bëri deputetja Dhurata Çupi Tyli në mbledhjen e komisionit të Ligjeve.
“Kërkojmë të dimë datën kur do të zhvilohet seanca dëgjimore me KLGJ, KLP, Ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Siç dihet sot qytetarët nuk përfaqësohen në procese gjyqësore pasi Dhoma e Avokatisë nuk merr pjesë në gjyqe.
Është çështje sensitive dhe duhet të njihen qytetarët me datën e dëgjesës dhe marrjen e masave”, – tha zonja Çupi në hyrje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Pas kërkesës së PD, kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka tha kjo dëgjesën do të rakordohet që të zhvillohet në datën 11 ose 12 korrik.
Kërkesë për ndërhyrjen e ministrit Manja për ngërçin në Gjykata, bëri mëngjesin e sotëm dhe avokati Saimir Vishaj, i cili tha se rrezikohen të drejtat e të burgosurve, sa kohë që nuk po zhvillohen as seanca për masat e sigurisë.