Gjimnazisti Erdi Jorgoni nga selia e PD-së ka bërë një denoncim për disa mësues që sipas tij janë militantë, ndërkohë që i bëri thirrje bashkëmoshtarëve të tij që t’i bashkohen protestës së 7 korrikut. Sipas adoleshentit në shkolla ka bullizim politik.
DENONCIMI I ADOLESHENTIT
”Unë jam Erdi Jorgoni, 17 vjeç, nga Durrësi. Jam këtu sot në këtë Foltore për të thënë se do t’i bashkohem protestës së Frontit të Shpëtimit kombëtar më 7 korrik, por jo vetëm kaq.
Vij për të thënë se unë jam një i persekutuar politik. Edhe pse në moshë të re, edhe pse në vitin 2022, edhe pse në qytetin e Durrësit. Në gjimnazin ku unë mësoj, për arsye të angazhimit dhe bindjeve politike të djathta, të mia dhe të familjes, jam bërë disa herë subjekt i bullizmit politik. Këtë e kanë bërë mësuesit e mi, ata që duhet të ishin mentorët tanë.
Kjo vjen për një arsye: më shumë se arsimtarë ata janë militantë partiakë. Kjo ka çuar në politizim të shkollës, në mediokritet të stafeve pedagogjike dhe në korrupsion të notës. I ftoj të rinjtë durrsakë, dhe nga gjithë Shqipëria, t’i bashkohen protestës së 7 korrikut.Kur rrezikohet liria e bindjes dhe e shprehjes rrezikohemi të gjithë. Rrezikohet Shqipëria.”