Tenderi 1.2 milionë euro për pajisjet e luksit në QSUT! Reagon Drejtoria: Do të përdoren për Sëmundjeve të Brendshme

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zbulohen dokumentet teknike të tenderit për mobilimin e zyrave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Tenderi, siç ka mësuar “News24”, është zhvilluar nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, për llogari të QSUT dhe vlera totale ka qenë 147,8 milionë lekë, rreth 1,2 milionë euro, dhe është fituar nga “RO-AL” SHPK, me një ofertë sa gjysma e fondit limit.

TENDERI

Detajet e prokurimit janë të frikshme, QSUT ka kërkuar të pajisë zyrat me krevat dopio dhe sipas dokumenteve ai duhet të jetë i përmasave 200×180 cm, thënë ndryshe 2 metra gjatësi dhe 1,8 metra gjerësi. Veshje laminati me rezistencë të lartë kundër gërvishtjeve dhe njollave dhe bordet të jenë të veshura me material plastik. Kërkesat e relaksit vazhdojnë me zgarën e krevatit, e cila të jetë prej druri të staxhionuar. QSUT ka dashur të ekzagjerojë edhe me karriget për drejtuesit, të cilat nuk duhet të jenë dosido, por me tapiceri lëkure origjinale natyrale, me shpinore të lartë dhe rezistente ndaj zjarrit. Karriget duhet të kenë krahë anësore me tub inoksi dhe bazamenti duhet të jetë metalik me 5 degëzime në formë ylli.

Në dokumente nuk jepet çmimi për njësi, por një krevat dopio me zgarë druri të staxhionuar kushton mbi 500 euro, ndërsa një karrige zyre prej lëkure origjinale kushton mbi 1 mijë euro. Në fakt, këto shpenzime nuk po përdoren për të përmirësuar kushtet nëpër spitale ku pacientet janë të detyruar të marrin çarçafë dhe ndërresa nga shtëpia, apo për dhomat e reanimacionit dhe kushtet e mjekëve, por për zyrat e drejtuesve të QSUT. Madje, me keq akoma, prej disa muajsh QSUT i urdhëron mjekët që të ulin numrin e analizave për të sëmurët dhe të mos japin rekomandime pasi fondi për koncesionarin nuk mjafton. Mes analizave për të sëmurët dhe karrigeve të lëkurës origjinale dhe krevate dopio për zyrtarët, QSUT ka zgjedhur që paratë t’i përdorë për këtë të dytën.

REAGIMI

Pas lajmit të publikuar, QSUT-ja reagoi duke thënë se “nuk ka asnjë procedurë prokurimi për pajisjen e zyrave të administratës së QSUT”. Por që në krye të tenderit thuhet se loti i pestë i kontratës ka të bëjë me “Blerje orendi dhe pajisje për mobilim zyrash për Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’”. Vetëm në njoftimin e QSUT-së thuhet se të gjitha mallrat që do të blihen përmes këtij tenderi do të përdoren për Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme.

Sipas njoftimit të QSUT-së, ambientet e spitalit të ri konsiderohen zyra. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, sërish QSUT-ja nuk ka dhënë shpjegime se përse ka porositur mallra luksi për spitalin dhe sa të dobishme janë ato duke pasur parasysh koston e lartë që kanë. QSUT-ja nuk dha informacion se përse ka porositur krevat dopio me përmasave 200×180 cm, thënë ndryshe 2 metra gjatësi dhe 1,8 metra gjerësi për Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe jo krevate teke. Më tej akoma, ky institucion nuk dha informacion se përse është e rëndësishme që krevati dopio të ketë rezistencë të lartë kundër gërvishtjeve dhe njollave, kur dihet shumë mirë se cila është gjendja e mobilieve në disa prej spitaleve edhe në Tiranë sot.

QSUT-ja bëri të ditur gjithashtu se të gjitha pajisjet janë bërë me kërkesë të shërbimeve universitare të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, por nuk dha asnjë informacion se sa ndikon përdorimi i karrigeve me tapiceri lëkure origjinale natyrale në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë në spital. Në të njëjtën kohë, QSUT-ja nuk u ofroi mediave ndonjë informacion të vlefshëm se përse është e rëndësishme që karriget duhet të kenë krahë anësore me tub inoksi dhe bazamenti duhet të jetë metalik me 5 degëzime në formë ylli. E vetmja gjë që QSUT-ja tha me bindje ishte fakti që “balta” e hedhur ndaj stafit të saj, pra, blerja e krevateve dopio dhe karrigeve me tapiceri lëkure, nuk do ta demotivojë punën e tij.

Zjarr Tv Ad