Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa ka dhënë një intervistë për Fax Neës ku ka folur lidhur me protestën e zhvilluar ditën e djeshme nga ana e gazetarëve si një lloj revoltimi ndaj masës së kryeministri Rama mori kundrejt gazetarit Klevi Muka.
Çipa tha se kryeministri nuk ka atribut të përcaktojë pyetjet që duhet t’i bëhen. Më tej ai shtoi se shterimin e kësaj çështje e kishte në dorë vetë Rama nëse ky i fundit do të hiqte dorë dhe nuk do të përdorte më praktika të tilla ndaj gazetarëve.
“Kryeministri nuk mund të pretendojë të marrë përsipër atributet e një redaktori për pyetjen e gazetarit. Kjo është një çështje që i takon redasisë. Gjithashtu kjo cënon lirinë e pyetjes dhe gazetari ka detyrën të pyesë dhe vetëm të pyesë. Autoritetet publike dhe kryeministri në rastin konkret ka detyrë të përgjigjet në mënyrë specifike jo në mënyrë propagandistike.
Këmbëngulja jonë për të refuzuar përjashtimin e gazetarit nga konferencat e kryeministrisë, është një detyrë. Unë jam i bindur se kryeministri duke pretenduar se respekton dimensionin e lirisë së pyetjes, do ta anullojë këtë urdhër. Dhe praktikat e tij që përcaktohen si “riedukim” nuk përkojnë me marrëdhëniet që duhet të ketë mes një kryeministri dhe gazetarëve. Do dëshirojmë që praktika të tilla mos të përsëriten më.
Mendoj se shterimin e kësaj çështje e ka në dorë vetë kryeministri, i cili nëse heq dorë nga masa e dhënë dhe nëse nuk e përsërit më të njëjtën praktikë me gazetarët, atëherë çështja është e zgjidhur”– u shpreh Çipa.