Partia Demokratike deklaroi sot se kryeministri Edi Rama është i trembur nga publikimi i fakteve të reja të aferës së inceneratorëve dhe nga protesta e 7 korrikut.
Nënkryetari i PD Luçiano Boçi tha se sa herë i duhet të mbulojë një skandal të qeverisë ai shpik një ngjarje “të madhe”, duke iu referuar deklaratës së Ramës për zbulimin e naftës e gazit nga SHELL në Shpirag.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI LUÇIANO BOÇI
Më 23 janar 2019, Edi Rama gëzonte në Twitter për “një lajm inkurajues”. Shkruante për një rezervë të madhe nafte e gazi të zbuluar nga kompania SHELL në Shpirag.
Ai shtonte se efektet në ekonomi do të ndiheshin që në vitin 2020, pra një vit më vonë.
Kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga lajmërimi, dhe 2 vjet nga viti 2020, dhe shqiptarët, të vetmin lajm nga nafta, gazi dhe qeveria kanë rritjen galopante të çmimeve.
Si çdo gjë në Shqipëri që e ka habinë tri ditë, edhe premtimi për rezerva të mëdha nafte do të ishte harruar, nëse Kryeministri nuk do ta kishte përsëritur dje të njëjtën rrenë.
Si vrasës serial i së vërtetës dhe mashtrues klasik, Edi Rama e përsëriti “zbulimin” e naftës.
Nga efekti në ekonomi, që parashikonte në vitin 2019, ai tha dje se rezervat e naftës dhe gazit që do të zbuloheshin nga kompania SHELL, do të ndryshonin të ardhmen e Shqipërisë.
Partia Demokratike denoncon mashtrimin e përsëritur të Kryeministrit dhe përçmon si herën e parë, ashtu edhe përsëritjen e talljes publike me shqiptarët.
Ne gjithashtu duam të bëjmë me dije edhe arsyen e riciklimit të rrenës nga Edi Rama.
Ai është trembur nga publikimi i fakteve të reja të aferës së inceneratorëve dhe nga protesta e 7 korrikut.
Sa herë i duhet të mbulojë një skandal të qeverisë ai shpik një ngjarje “të madhe”.
Bëhet qesharak kur nuk ka më ç’të shpikë dhe riciklon. Bëhet i padurueshëm kur, në kohën e krizës së çmimeve të karburanteve, në vend që të japë zgjidhje tregon përralla me puse nafte.
I vetmi zbulim në naftë është litri me 2.1 euro, që rrënon qytetarët dhe pasuron qeveritarët.
Bashkohuni me ne, nesër në ora 19.00, para Kryeministrisë.
Kur e vërteta është në rrezik, Shqipëria është në rrezik.