Ministrja Për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka nga foltorja e Kuvendit ftoi deputetët e opozitës që të bashkohen me vota dhe të miratojnë projektrezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë. Ajo tha se Shqipëria i ka dënuar sulmet në Srebrenicë.
“Unë dua të përgëzoj kolegët për këtë nismë për të shpallur 11 korrikun Ditën e Përkujtimi të Gjenocidit në Srebrenicë. Kjo është një nismë që mbështetet në rezolutat e Parlamentit Europian për Përkujtimin e këtij gjenocidi dhe në vlerësimet e Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit të Europës të 22 marsit 2017. Por mbi të gjitha kjo është një nismë që vjen si një kulmim i qëndrimeve të kahershme e të pakompromis të Shqipërisë në dënim të këtij krimi por edhe të krimeve të tjera kundër popullsive civile në Bosnje Hercegovinë e Kosovë.
E di që pak kohë më parë lidhur me këtë gjenocid u zhvillua një debat që realisht do të kishte qenë mirë për ata që e iniciuan të mos kishte ndodhur. E them këtë sepse besoj që në politikë duhet të ketë gjithnjë disa vija të kuqe, duhet të ketë gjithnjë disa çështje e disa ngjarje të cilat nuk duhen kurrsesi të përdoren e të keqpërdoren në emër të agjendave të ngushta politike. Gjenocidi në Srebrenicë është padyshim një nga këto ngjarje, e cila meriton nga të gjithë ne vetëm respektin më të plotë e trajtimin në mënyrën më solemne të mundshme e jo abuzimin për qëllime politike.
Në fakt, ndër vite kjo ka qenë ajo që ka ndodhur. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim parimor e qartë në raport me këtë krim të tmerrshëm ku mijëra burra e djem u vranë në mënyrën më makabre jo se ishin fajtorë për diçka, por thjesht për shkak të identitetit të tyre. Është një qëndrim që është mbajtur në këtë Kuvend, ku në 10 vjetorin e këtij gjenocidi është mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të pafajshme të Srebrenicës, e ka mbajtur këtë qëndrim në mënyrë të përvitshme duke ju bashkuar deklaratave të BE në çdo përvjetor të gjenocidit. Por e ka mbajtur këtë qëndrim edhe gjatë kryesimit të OSBE, në OKB në Sesionin e 39 të Këshillit të të Drejtave Të Njeriut ku kemi depozituar një ndërhyrje në të cilën dënonim gjenocidin.
I kemi mbajtur këto qëndrime jo për konsum të brendshëm, as për të kënaqur dikë e për të nxjerrë keq dikë, por i kemi mbajtur sepse kjo është ajo ku besojmë. Besojmë që këto krime duhen dënuar sepse viktimat meritojnë drejtësi. Besojmë që këto krime duhen dënuar sepse duke mos i dënuar rrezikojmë përsëritjen e tyre në të ardhmen. Por besojmë edhe që duhen dënuar sepse nëse nuk dënohen rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk do të njohë kurrë harmoni e bashkëpunim. Prandaj e mbështes këtë propozim dhe ju bëj thirrje kolegëve që të votojnë për ta miratuar të gjithë bashkë, në respekt të viktimave. Një respekt që kurrsesi nuk mund të tregohet duke e përdorur këtë ngjarje kaq tragjike si municion për debate politike.”, tha Xhaçka.