Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli brenda një ore të mërkurën dy vendime të kundërta për ish-bashkëshortët magjistratë, Elbana Lluri dhe Gerd Hoxha.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u shkarkua nga detyra për kriterin e pasurisë, ndërsa ish-bashkëshorti i saj, Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë falë një interpretimi të ndryshëm të Kolegjit për të njëjtat pasuri.
Vendimi për konfirmimin e Hoxhës u kundërshtua menjëherë pas shpalljes nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, ndërsa trupa gjykuese ndodhej ende në këmbë.
“Në emër të vëzhguesve ndërkombëtarë, do doja të theksoja se jemi totalisht kundër këtij vendimi, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për procesin e vendimmarrjes,” tha Jacobs, ndërsa shtoi se vendimi hedh hije mbi imazhin e Kolegjit.
“Drejtësia shërbehet kur vendimi bazohet në fakte, jo kur faktet i përshtaten rezultatit të dëshiruar. Reforma në drejtësi, procesi i vetingut, ky Kolegj dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë më shumë se sa ky vendim,” shtoi ai.
Problemi kryesor që u evidentua gjatë proceseve në Kolegj të dy çështjeve kishte të bënte me ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një apartamenti në Vlorë.
Sipas KPA, Lluri nuk arriti të justifikonte kursimet në vlerën 5 milionë lekë të deklaruara se janë krijuar para fillimit të detyrës dhe që kanë shërbyer si burim për apartamentin në Vlorë, ndërsa nga analiza financiare u zbrit një shumë e përfituar nga shitja e një makine nga Hoxha në vitin 2011, pasi nuk ishte deklaruar si kursim.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha mbeti në sistemin e drejtësisë, pasi Komisioneri Publik nuk ngriti ankim për kursimet e ish-bashkëshortes së tij në vlerën e 5 milionë lekëve. Për vlerën 1.2 milion lekë të përfituar nga shitja e mjetit në vitin 2011, Kolegji vlerësoi ndryshe nga rasti i Llurit.
Trupa në këtë rast e njohu faktin se ato nuk ishin deklaruar si kursim, por argumentoi se nuk kishte indicie që të mund të ishin shpenzuar e për rrjedhojë u çmua se kanë mbetur gjendje si kursime.
Gjyqtari Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 3 qershor 2021 me votat e komisionerëve Genta Tafa Bungo dhe Olsi Komici, ndërsa Brunilda Bekteshi në pakicë çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e një huaje të marrë nga ish-bashkëshortja prej prindërve të saj, që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie 25 mijë euro të përdorur për rikonstruksionin e një apartamenti.
Elbana Lluri u konfirmua në mënyrë unanime më 2 shkurt të vitit 2021, pasi KPK konkludoi se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret.
ONM paraqiti rekomandime ndaj të dy vendimeve dhe çështjet shkuan përballë Kolegjit. Ankimi për Llurin u bë nga komisioneri Florian Ballhysa, ndërsa ai për Hoxhën nga ish-komisioneri Darjel Sina.
Katër anëtarë të të dy trupave gjykuese që shqyrtuan në Kolegj ankimet ndaj Llurit dhe Hoxhës, ishin të njëjtë. Ankimi ndaj Llurit u shqyrta nga trupi gjykues i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomon. Ndërsa trupi gjykues që shqyrtoi ankimin ndsaj konfirmimit të Hoxhës kryesohej nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulaj, Ina Rama e Sokol Çomo.
Kolegji nuk e pranoi kërkesën e ONM-së për bashkimin e çështjeve, por vendosi të marrë si prova në secilën çështje fashikujt hetimorë të të dy subjekteve të rivlerësimit.
Argumentet e ndryshme të KPA
Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 126.5 m2 në Vlorë, janë petenduar si burime krijimi një vlerë 5 milionë lekë e deklaruar nga Lluri si kursime të krijuara para detyrës dhe shuma 1.2 milionë lekë e përfituar nga shitja e një automjeti në vitin 2011.
Në rastin e Llurit, Kolegji konkludoi se subjekti nuk arriti të provojë punësimin pranë biznesit të motrës ku ka deklaruar se ka përfituar të ardhura, si dhe as pagesën e detyrimeve tatimore për këtë punësim. “Mbeten në nivel deklarativ e të paprovuara, si marrëdhënia e punësimit të subjektit në biznesin e motrës së saj, ashtu dhe të ardhurat e krijuara nga kjo marrdhënie gjatë periudhës 1997-2004 në vlerën 3.3 milionë lekë,” deklaroi kryesuesja Mulaj.
Shumica e trupës së KPA çmon se mbeti i paprovuar edhe pretendimi i subjektit për përfitimin e shumës prej 2 milionë lekësh, e deklaruar si vlerë e dhuruar prej motrës së subjektit. Kolegji vëren se kjo shumë nuk gjendej e specifikuar në deklaratën “veting” dhe në atë fillestare të pasurisë, si dhe as në përgjegjet e dhëna prej subjektit në pyetësorin standart ku është konstatuar se ka dhënë shpjegime të detajuara për dhurimet e motrës së saj, por pa e përmendur këtë shumë.
“Mosshpjegimi dhe mos përcaktimi i kësaj të ardhure në deklarime, pamundëson kontrollin e vërtetësisë së përfitimit të saj, e cila gjithashtu ka shërbyer për të krijuar kursimet cash të subjektit të rivlerësimit në shumën 5 milionë lekë,” pohoi Mulaj dhe shtoj se Kolegji ka vlerësuar se modifikimi i deklarimeve për burimet e krijimit të shumës prej 5 milionë lekësh përgjatë procesit të rivlerësimit është përpjekje për të justifikuar pamundësinë e krijimit të kësaj vlere.
Shumica e trupës gjykuese të KPA që shqyrtoi çështjen e Gerd Hoxhës nuk e ka trajtuar burimin e kursimeve të Llurit në shumën 5 milionë lekë. “Trupi gjykues vlerësoi se ky pretendim nuk gjente pasqyrim në ankim. Për pasojë, duke mos gjetur rrugën ligjore të parashtrimit në Kolegj, ky pretendim kishte rënë në dekadencë, duke lënë në fuqi vlerësimin e Komisionit në vendim se shuma e sipërcituar është krijuar me burime të ligjshme,” paraqiti konkluzionin e shumicës kryesuesja e trupës, Rezarta Schuetz.
Trupi gjykues që shqyrtoi ankimin ndaj konfirmimit të Llurit e cilëson të drejtë pretendimin e komisionerit Florian Ballhysa se Komisioni ka konsideruar gabimisht në analizë shumën 1.2 milion lekë të deklaruar si e ardhur nga shitja e një automjeti tip “Mercedes Benz” në vitin 2011, pasi kjo vlerë nuk është përshkruar si kursim të fund të atij viti, por vetëm si e ardhur.
“As rezulton të jetë identifikuar në ndonjë mënyrë në deklarimet e mëparshme si burim për krijimin e ndonjë pasurie,” sqaroi Mulaj dhe shtoi se bazuar në jurispudencën e mëparshme lidhur me provueshmërinë e kursimeve në cash nëpërmjet deklarimit të tyre, shuma 1.2 milion lekë nuk është konsideruar si kursim e për rrjedhojë nuk është përfshirë në volumin e kursimeve cash që janë përdorur për blerjen e apartamentit në Vlorë në vitin 2016.
“Subjekti dhe personi i lidhur gjenden në pamundësi për blerjen e kësaj pasurie. Kolegji nuk shqyrtoi shkaqet e tjera të ankimit që u tërhoqën nga Komisioneri Publik,” deklaroi Mulaj gjatë shpallje së vendimit për Llurin.
Sipas KPA-së, kursimet cash të deklaruara nga Lluri dhe ish-bashkëshorti si burim për apartamentin në Vlorë rezultojnë në një nivel të lartë të pajustifikueshëm, duke mos provuar burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë. Për rrjedhojë, me shumicë votash është vendosur shkarkimi i gjyqtares Elbana Lluri.
Në rastin e Hoxhës, trupa gjyqësore e ka pranuar si kursim vlerën prej 1.2 milionë lekësh të deklaruar si e ardhur nga shitja e makinës.
Kolegji shprehet se e ka vlerësuar pretendimin e Hoxhës për kursimin e shumës 1.2 milion lekë në harmoni faktin e përfitimit nga një transaksion i ligjshëm që përfundoi në fund të tetorit të vitit 2011. Shpjegimet e Hoxhës se në deklarimin nuk e ka konceptuar si shtim të mirëfilltë të pasurisë, por konvertim nga automjet në para, si dhe bazuar në faktin e moskrijimit të ndonjë pasurie gjatë vitit 2011 që do të justifikonte shpenzimin e kësaj shume, janë vlerësuar të mjaftueshme nga shumica e Kolegjit që duke përdorur edhe jurispudencën e mëparshme të KPA-së ta konsiderojë si kursim vlerën 1.2 milion lekë.
Ndërkohë, Kolegji vlerëson njëlloj në të dy rastet për kursimet e deklaruara prej Hoxhës në vitin 2003 në shumën 2.5 milionë lekë. Sipas KPA, nuk është vërtetuar me dokumentacion ligjor punësimi i tij në sektorin privat dhe as pagesa e detyrimeve, por konkludohet se ai ka pasur mundësi kursimi me burime të ligjshme në vitin 2003 vetëm për rreth 1.2 milionë lekë. Por kjo situatë nuk ka sjellë penalizim për Hoxhën.
Po ashtu, Kolegji vlerëson se përdorimi nga gjyqtari Hoxha i një automjeti tip Audi Q7 në pronësi të babait të tij, nuk mund të konsiderohet si interes pasuror dhe për këtë arsye nuk është hetuar mbi burimet e krijimit. KPA nuk ka gjetur probleme edhe në gjetjet e ONM-së për Hoxhën lidhur me profesionalizmin dhe vendosi lënien në fuqi të konfirmimit të tij në detyrë.