Dita e parë e Kurban Bajramit është të shtunën, më 09 korrik 2022.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet në sheshin “Skënderbej”, Tiranë.
Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju shpreh urimet të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Kurban Bajramin!
“Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti. Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt.
Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit.
Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët”, thote kreu i KMSH ne urimin e tij.
Urimi i plotë:
Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbërës.
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve.
Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.)
Të dashur qytetarë, nesër, në Shqipëri dhe mbarë botën, është festa e Kurban Bajramit.
Zoti i gjithësisë në suren Kevther në Kuran thotë:
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”
Ndërsa në një tjetër sure (En’nam) na kujton:
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun, Zotin e botëve!”
Të dashur qytetarë, Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame.
Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires.
Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti.
Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt.
Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit.
Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët.
“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti.
Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.
E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona!
E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin!
Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!
Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Urtësia e therjes së Kurbanit
Adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit, por pas çdo adhurimi qëndron një urtësi.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat.
Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Në Kuranin Famëlartë thuhet se: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).
Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.