“Ballkani i Hapur” në Tiranë, ja kur do të mbahet takimi mes 3 liderëve, diskutimi për krizën e energjisë

0
114
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më 8 korrik, kanë mbajtur një takim online për intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, si dhe janë pajtuar për një takim të Grupit punues për çështjet e energjisë.

Siç ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, ai dhe kryeministrat e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, u pajtuan për një takim të Grupit punues për bashkëpunim në fushat e energjisë dhe sigurisë ushqimore dhe financave, që do të mbahet në Tiranë në mes të korrikut.

Takimi i sotëm, siç u tha, i është kushtuar intensifikimit të bashkëpunimit me qëllim të tejkalimit të përbashkët të vështirësive për furnizimin me ushqime dhe energji.

Gjithashtu, liderët e “Ballkanit të Hapur” diskutuan për takimin e ardhshëm dhe panairin e verës dhe ushqimit që do të mbahet në Beograd, në shtator, organizuar nga nisma “Ballkani i Hapur”, shkruan REL.

“U pajtuam që ky manifestim i madh dhe unik, i cili besojmë se do të kthehet në një traditë të mirë miqësore, është gjithashtu një promovim i jashtëzakonshëm i tri vendeve tona, por edhe një mundësi për prodhuesit nga rajoni që të bashkohen dhe të prezantojnë produktet e tyre më të mira dhe ekskluzive”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Liderët u pajtuan për krijimin e grupeve punuese të përziera të dikastereve për temat e krizave dhe për formimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu është shtuar se të tre liderët kanë theksuar rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të forcuar lidhjen rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve./REL

Zjarr Tv Ad