Deputetja e LSI, Erisa Xhiko deklaron se protesta e djeshme e opozitës ka dhënë efekte. Në një interivistë për Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, deputetja tha se ka nj rikthim të besimit te opozita dhe këtë e tregoi pjesëmarrja, sipas saj.
“Do të duhet që në këtë moment shqiptarët kanë një mijë e një halle, por mendoj që edhe pasja e një opozite të vërtetë tashmë, të lidershipeve është mënyra më e mirë për të përfaqësuar qytetarët. Ka një rikthim të besimit të opozita, pas zhgënjimit të 25 prillit dhe debateve në PD”, tha ajo.
Xhixho u shpreh se protestat do të vazhdojnë, pasi janë një nga mjetet që do të përdoren nga opozita për të larguar kryeministrin Edi Rama.
“Protestat do të vazhdojnë, është jetike që u ka mbetur qytetarëve shqiptarë. Do të jetë një nga mjetet që do të përdoren dhe për të kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie”, tha ajo.
E pyetur nëse ishte publikimi i të tjerave skandaleve për inceneratorët një motiv për të nxjerrë qytetarët në shesh, deputetja e pranon.
“Mega-afera padyshim që është kuptuar nga shumë qytetarë, por edhe denoncimet e fundit të zonjës Kryemadhi. Ka motivuar afera e inceneratorëve. Në vendin më të varfër në Evropë ka vjedhje çdo ditë. Këtu kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal”, tha Xhixho.
Lidhur me dyshimet e artikuluara në media se kush e informon Monika Kryemadhin për këtë aferë, Xhixho përgjigjet: “Këta gazetarë që do preferoja të merreshin me të vërtetën që po denoncon zonja Kryemadhi. Duhet të merren me faktet që shqiptarët vidhen. Për sa i përket dosjeve që po përgatit zonja Kryemadhi është një vlerë e shtuar dhe një shërbim shumë i madh që po i bëhet interesit publik. Thirrja është për SPAK që të veprojë sa më shpejt, të ndërpresë pagesat për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.
Kjo është një dosje që na ka habitur. Flasim për miliona euro. dosja dhe shkuarja deri në fund siç e ka bërë publike Kryermadhi do të vijojë. Këto para janë përdorur për manipulimin e zgjedhjeve”.
Ndërkaq, Xhixho zbulon se në Konventën e LSI, e cila mbahet menjëherë pasi Ilir Meta dorëzon zyrën e presidentit, do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e kësaj force politike.
“Është një konventë shumë e rëndësishme. Duhet ta kishim bërë më parë. Do të mblidhen delegatë. Do të ketë në fokus zgjedhjet lokale të 2023. Vendimarrjet për lidershipin duhet t’ja lëmë konventës. Jemi duke bërë përgatitje. Ngjarjet që do të ndodhin në atë sallë do të jenë të rëndësishme për të ardhmen e LSI”, u shpreh deputetja.