Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas akuzave të rënda që Sali Berisha bëri ndaj tij gjatë një emisioni televiziv.
Berisha e quajti Alibeajn si “të depersonalizuar” dhe një njeri që “është shndërruar në ushtar të Taulant Ballës”.
Por Alibeaj ka reaguar menjëherë duke thënë se Berisha gënjen për të fshehur hallin e madh apo të familjarëve të tij. Ai shkruan në një postim në Facebook se Berisha nuk ka për ta rrëzuar Ramën duke përçarë demokratët, të cilët i keqpërdor për interesat e tij personale.
“Sali Berisha sa herë gënjen fsheh një hall të madh, të vetin ose të familjarëve të tij. Problemi është që për të zgjidhur këto halle nuk e ndihmoj dot as unë dhe as demokratët që ai i keqpërdor për interesat e tij personale.
Hallet e Sali Berishës nuk janë hallet e shqiptarëve. Janë hallet e pasurisë së familjes së tij biologjike non grata dhe jo ato të varfërisë që ka kapluar shqiptarët. Vetëm e vërteta mund ta ndihmojë Sali Berishën, që së paku të jetë në paqe me ndërgjegjen e vet. Por dhe ky duket mision i pamundur, njësoj si ai për të rrëzuar Edi Ramën duke përçarë demokratët. Sepse Sali Berisha dhe e vërteta, mesa duket, janë bërë dy rrugë që nuk do takohen më gjëkundi”, thotë Alibeaj.