PD ka denoncuar ditën e djeshme se KESH ka shpenzuar 20 milionë euro për blerje energjie vetëm për një periudhë 6 ditore.
Ndërkaq ka ardhur edhe reagimi i KESH, ku thuhet se procedurat e blerjes së energjisë elektrike, diktuar nga kriza që ka përfshirë të gjithë botën në këtë sektor, janë në përputhje të plotë të gjithë procedurave dhe çmimeve të tregtimit në bursat ndërkombëtare, konkretisht bursës hungareze, të cilës shteti shqiptar i referohet për blerje-shitjen e energjisë. Më tej në reagim thuhet se nuk ka asnjë abuzim apo shkelje ligji në procedurën e ndjekur nga KESH për blerjen e energjisë për javën 11 – 17 korrik 2022.
Reagimi i KESH:
Korporata Elektroenergjetike Shqipare sqaron opinionin publik se procedurat e blerjes së energjisë elektrike, diktuar nga kriza që ka përfshirë të gjithë botën në këtë sektor, janë në përputhje të plotë të gjithë procedurave dhe çmimeve të tregtimit në bursat ndërkombëtare, konkretisht bursës hungareze, të cilës shteti shqiptar i referohet për blerje-shitjen e energjisë.
Nuk ka asnjë abuzim apo shkelje ligji në procedurën e ndjekur nga KESH për blerjen e energjisë për javën 11 – 17 korrik 2022. Ditën e diel, datë 10 korrik, bursa është mbyllur me çmimin 110.05 euro/MËh ndërsa ditën e hënë, datë 11 korrik, është mbyllur me çmimin 374.66 (+240%).
KESH nuk ka blerë energji për ditën e diel, për shkak të kërkesës së FTL (OSHEE).
Kërkesa e FTL është ulur nga 19 mijë në 14 mijë MWH, për shkak të konsumit të ulët, që vjen si pasojë e uljes së temperaturave, por edhe faktit që industritë dhe konsumatorët e mëdhenj të energjise janë pushim. Është kjo arsyeja që edhe në botë çmimi i energjisë është më i ulët ditën e diel.
Por, KESH ka blerë energji, jo për 1 ditë, por për javën e 28-të të vitit, pra për periudhën 11 – 17 korrik, mesatarja e të cilës llogaritet te jete sipas treguesit HUDX rreth 398 euro/MWh. KESH gjithashtu, përveç çmimit të energjisë paguan edhe për kapacitetet e transmetimit, çmimet e të cilave shtohen si kosto në blerjen finale për MËh. Çmimet e blerjes janë në trend të arsyeshëm mbi çmimet e bursës hungareze të energjisë me një mesatare të ponderuar 434 €/MWh.
Sipas skenarëve për menaxhimin optimal të kasakdës, nëse KESH nuk do të blinte energji në tregje këtë javë (javën e 28-të) atëherë rezerva energjetike do ulej nën mesataren shumëvjeçare, duke cënuar në këtë mënyrë operimin optimal të kaskades, e cila sjell pasoja të drejtpërdrejta për periudhën në vijim që pritet të jetë e thatë dhe me çmime të larta të energjisë në tregje.
KESH siguron opinionin publik se të gjitha procedurat për blerjen e energjisë janë transparente dhe tërësisht ligjore. Ato mund të kontrollohen nga çdo institucion ligjzbatues apo çdo parti politike e interesuar për të vërtetën. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare garanton çdo qytetar se po merren të gjitha masat për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për çdo abonent.