Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e prezantuar me bujë nga pushtetarë dhe ambasadorë si organi që do të çojë pas hekurave “peshkaqenët” e korrupsionit, duket se po zhgënjen shqiptarët.
Një sondazh televiziv i publikuar vetëm pak javë më parë, tregoi se shumica dërrmuese e qytetarët janë të zhgënjyer nga institucioni i akuzës. Referuar sondazhit, vetëm 2 në çdo 5 shqiptarë (39,7%) e vlerësojnë si pozitive punën e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme SPAK. Ndërsa 1 në 4 shqiptarë (24,8%) e sheh punën e SPAK si negative.
Madje, sondazhi i kryer nga MBR e Data Centrum dhe publikuar nga “Euronews”, tregoi se edhe vetë socialistët janë më pak entuziastë për punën e rezultatet e Prokurorisë së Posaçme, krahasuar me një vit më parë.
Akuza të shumta ndaj SPAK ka pasur nga opozita. Kryetari i PD-së, Sali Berisha e ka cilësuar “SKAP-in” e partisë, duke sqaruar se SPAK është i kapur nga Edi Rama.
Kritika të shumta ka pasur edhe nga zëra të spikatur të shoqërisë civile. Një prej tyre është dhe akademiku e moderatori Erion Kristo.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se SPAK nuk po heton dhe se i ka humbur besimi te entiteti.
Madje, shton se do ti bashkohet çdo proteste para zyrave të institucionit.
“SPAK! Ju nuk po hetoni asgjë. Këtu qenka bërë nami dhe ju nuk veproni. Nuk keni më asnjë milimetër besim nga mua. Po u bë protestë para zyrave tuaja, do jem”, shprehet Kristo.
“Zhdukuni mashtrues! Tani dua që të burgoset spaku, jo hajdutët. Të burgosen ata që mbulojnë krime ekonomike me përmasa globale. Ju jeni zhgënjimi më i madh historik i shqiptarëve. Statistikat tuaja janë gënjeshtra.
P.S. Unë kam qenë përkrahës i sistemit të ri të drejtësisë. Tani zero”, shton ai.