Javët që lam pas, kanë qenë disa javë të vështira për klimën në Itali. Temperaturat e larta janë pjesë e problemit, por duthet thënë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e stinëve.
Rasti i fundit i vdekjes së 11 personave nga një akullnajë që u shemb në një shteg kalimi mjaftë të njohur në malin Marmolada nuk ishte thjesht një aksident.
Me temperaturat që janë rritur me rreth 2 gradë Celcius, dyfishi i mesatares globale, jo vetëm që akulli ka shkrirë më shpejt në vitet e fundit, por ekspertët mendojnë se këto raste mund të rriten.
Shkencëtarët italianë kanë paralajmëruar se akullnaja Marmolada nuk do të ekzistojë më në 25 deri në 30 vitet e ardhshme pasi akullnajat në Alpe do të shkrijnë.
Nuk është as shembulli i parë dhe as i fundit i asaj që po shpaloset para syve tanë prej shumë kohësh. Që në vitin 2019, gjërat dukeshin shumë keq.
Lumi Po, më i madh i Italisë nuk ka më pamjen e dikurshme. Tani ekziston një shkretëtirë, aty kur dikur kalonte rrjedha e lumit.
Një ekspert thotë se kjo ka ndodhur në vetëm gjashtë muaj, por fenomeni nuk është i ri. Ka pasur disa herë kriza ujore gjatë 20 viteve të fundit, por thatësira aktuale është më e madhja që është regjistruar ndonjëherë gjatë viteve të fundit.
Gjithashtu reshjet janë përgjysmuar që nga fillimi i vitit dhe me më pak borë se zakonisht, liqenet nuk janë në të njëjtin nivel.
Prodhimi bujqësor ka qenë i pari që ka ndjerë ndikimin, por edhe 700 mijë banorë të zones që e përdorin ujin për përdorim shtëpiak. Dhe rrjedha në rritje e ujit të detit në lumin Po e bën vaditjen pothuajse të pamundur.
Autoritetet kanë këshilluar qeverinë për të përdorur para nga fondi i rimëkëmbjes së BE-së për t’u marrë me thatësirën. Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur tashmë në disa rajone, por ka ende shumë për të bërë.