Kryetarja e LSI, Monika Krymadhi ka reaguar pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez duke i hapur rrugën kështu integrimit në BE.
Kryemadhi shkruan se java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane dhe se mënyra se si do qasen ndaj këtij shansi mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë.
Ajo bën thirrje që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyës që ky mision kombëtar kërkon.
Postimi i Kryemadhit:
Një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë është shkruar sot, me votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në favor të formulës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes RMV-BE.
Falë këtij vendimi, por edhe shumë sakrificave që RMV si vend i lidhur me ne në procesin e integrimit, ka kryer për të arritur deri këtu, javës tjetër, Shqipëria më në fund mund të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Moment i shumëpritur, prej nga ku nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por kritere dhe llogaridhënie.
Kërkesa me ngulm e LSI ndaj BE ndër vite ka qenë që, edhe me kritikat e institucioneve europiane për mospërmbushjen e kushteve, çelja e negociatave të kryej sa më parë. Duke e konsideruar procesin në vetvete dhe mbikqyrjen e institucioneve të BE, faktor pozitiv në realizimin e shpejtë dhe cilësor të reformave.
Si forcë politike europiane dhe konsensusi, kemi propozuar që prej vitit 2020 realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që reformat kryesore të realizohen sa më parë dhe me bashkëpunim ndërpartiak, duke e bërë procesin e integrimit imun ndaj politikës së ditës dhe kritikave për njëri tjetrin.
Java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane! Mënyra si i qasemi këtij shansi të ri për vendin, mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë.
Ndaj është koha që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyës që ky mision kombëtar kërkon.