Flamuri i Bashkimit Europian si ambalazh i bëmave të Edi Ramës

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Enton Abilekaj

Maqedonia e Veriut u zgjua në një ditë të zakonshme. Nuk pati festë, ceremoni, as fjalë të Kryeministrit, as sharje për opozitën pas premtimit për ndryshimin e sjelljes, as joshje për gazetarët, as falenderime të posaçme.  Ishte një ditë pune, ndoshta më e motivuar, më e çliruar nga hijet e lindjes, me perëndimore.

Në Tiranë, ishte një show nga Kryeministria. Një show i gjymtuar, dekoratat ishin ndarë 4 vjet më parë, shampanja ishte pirë 3 vjet më parë. Dekoratat e ikura në drejtim të paditur dhe shishet e boshatisura të shampanjës nuk mund të ishin dekor për festën. Kështu u shpik ngritja e Flamurit – një mundësi që dita e punës të jetë edhe këtë herë vetëm propagandë me sfond diplomatësh që mezi presin përfundimin e një fjalimi patetik në vapë.

Ngritja e Flamurit të Bashkimit Europian nuk është as zakon dhe as detyrim për Hapjen e Negociatave. Ai është një gjest simbolik për anëtarësimin, për momentin kur gjërat ndryshojnë vërtetë ndjeshëm. Më pas ngrihet kur vendi merr presidencën 6 – mujore, që këtë herë e ka Republika Çeke. Në 2005 Vaclav Klaus, atëherë President, nuk pranoi ta ngrinte në Kështjellën e Pragës. Në 2013 Milos Zeman e ngriti në Kështjellën – simbol, për të sfumuar politikanin – simbol të luftës për demokraci, për të përcjellë mesazhin se koha e Vaclav Klaus mori fund, se sovraniteti tashmë konceptohet ndryshe.

Në Tiranë, Rama e ngriti flamurin kundër Ramës. Aty nën hijen e pamjaftueshme të Kryeministrisë, me kostumin e ri, premtoi se do jetë ndryshe nga Edi Rama i përpara 19 korrikut. Aty përpara të njëjtës audiencë diplomatike, që masakroi 5 ditë më parë, me thirrjet antiperëndimore dhe me revokimine sovranizmit në favor të amnistisë fiskale, vendosi të stigmatizonte “Xhike Qamilin”, që në fakt nuk ishte sovranist, por dumbabist.

Xhikja ishte eufemizëm për Sali Berishën, jo për Edi Ramën e amnistisë fiskale. Bashkë me amnistinë dhe kanabizimin, mbetet i pasqaruar edhe fati i Kryeministrit që u kujtonte ambasadorëve dhe biznesmenëve të huaj se shqiptarët nuk janë “njerëz me bisht”. Ai që doli nga Kryeministria edhe pse me të njëjtin imazh të konfirmuar nga patetizmi dhe zymtësia e fjalimit, premtoi që do ta bënte të harrohej paraardhësin e tij, veten.

Kërkoi falje për gabimet e tij pa e detajuar në ato janë, Ballkani i Hapur, kanabizimi, thellimi i korrupsionit, kapja e institucioneve, blerja e votave në zgjedhjet, falenderoi gjithë ambasadorët dhe ish- ambasadorët, pa përmendur Kryetarët e shteteve anëtare të BE-së, që morën një vendim të paprecedentë, jashtë radhe, pasi seanca e rregullt e 23 qershorit, kur vendimi duhet të merrej, dështoi. Një vendim jashtë radhe që i dedikohej maxhorancës proeuropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila, pas votimit, ndihej e kërcënuar nga opozitat radikale të djathta dhe të majta. Një vendim që i dedikohej luftës në Ukrainë dhe vendimit të shpejtë që Ballkani Perëndimor, të mos mbetej më jetim, kur adoptuesit lindorë ishin fare afër. Dhe në vazhdim të kësaj, një vendim kundër Ballkanit të Hapur, që kërcënoi Bashkimin Europian në shtëpinë e tij, me një organizim sovranist me kokën në Serbi dhe zemrën diku në Azi.

Nëse do t’i thoshte të gjitha këto, apo edhe një pjesë të këtyre, nëse do të reflektonte për këto, rishpikja e Edi Ramës nën flamurin Europian do të merrej seriozisht të paktën për disa ditë. Pa këto, ishte vetëm një fjalim i shkruar në një natë vere, kur ëndrrat me sy hapur për të harruar çfarë ka bërë, e dominojnë realitetin e qytetarëve që ikin nga sytë këmbët të pataksur nga keq-qeverisja dhe korrupsioni, e ministrave të burgosur apo të atashuar tek SPAk, të borxhit publik që ka kaluar 100 për qindshin dhe nuk llogaritet dot më. Ishte thjesht një fjalim i shkruar në ëndërr e sipër, duke parë nga Surreli kullat e Tiranës si krenari e babëzisë së shndërrimit të betonit në para. Ishte një ftesë për tu dhënë lamtumirën bëmave të tij, mbështjellë me flamurin e BE.

Të mërkurën në mëngjes, kur realiteti rimori dominimin, në oborrin e Kryeministrisë, kishim të njëjtin kryeministër të lodhur, me një administratë që zgjohet vetëm nga oligarkët dhe një grup politik që di vetëm të duartrokasë. Ambasadorët sigurisht po qeshnin./Dosja.al

Zjarr Tv Ad