Nga Frrok Çupi
Vini re: Asnjëherë Prokurori i Shqipërisë komuniste nuk ishte ftuar në Kremlin. Madje edhe vetë Bedri Spahiu, më i besuari dhe më i rralli i llojit, nuk qëndroi shumë në atë karrige; veç sa çoi në ferr Koçi Xoxen, zëvendës- kryeministër.
Vini re: Arben Kraja, prokuror i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ftohet në Uashington në muajin e pushimeve të të gjithë botës. Zonja Liza Johnson, zëvendës- ndihmës sekretare e shtetit, vjen direkt për të takuar njerëzit e Drejtësisë në Tiranë. Është hera e parë që Prokurori i Shqipërisë ftohet në Departamentin e Shtetit.
Jemi në momentin të sjellim parasysh të dy botët. Tani bëhet pyetja: Kush do të fitojë?
- Do të fitojë Amerika, apo Rusia?
Kjo nuk është një dilemë në ajër. Influencat ruse, tani, janë më aktive se asnjëherë që nga vitet ’60 kur BS la vendin tonë dhe u zëvendësua nga i njëjti lloj.
Gjurmët ku shfaqen sot influencat Ruse:
Opozita e rrënuar nga brenda dhe tentativat për ta mbajtur ‘pa tru’- kjo e para. Përpjekja për kthimin e faktorëve të makinës së vjetër politike që kishin pasur lidhje të afërta me Lindjen si me llojin Millosheviç dhe Mahathir Mohamad- e dyta. Nuk është e kotë që Sali Berisha bën si ‘burrë i fortë në pleqëri’; kjo është kërkesë për jetë a vdekje, jo luks.
Parullat e hapëta nga kreu i shtetit, Meta, në favor të Rusisë përballë Amerikës: ‘Raketa ka edhe Rusia, jo vetëm Amerika’- e treta.
Thirrja ‘Shqipëria në rrezik’, i konvenon një plani rus për ndërhyrje në vendin tonë, njësoj si të mos ishte këtu NATO, por Traktati i Varshavës.
Presidenti Biden, i SHBA, deklaroi me zë të lartë dhe jo së koti se ‘këtu jemi ne’, jo Rusia. Atëherë, kush do të fitojë? SPAK duhet të ketë përgjigjen e vet.
2. Nëse do të fitojë korrupsioni dhe krimi, atëherë humb Amerika dhe qytetërimi Perëndimor. Korrupsioni fiton nëse nuk dënohen me ligj të korruptuarit. Pse nuk dënohen të korruptuarit e mëdhenj? Në krye të fjalës për korrupsion të madh, prej vitesh ndodhen Ilir Meta dhe Sali Berisha. Berisha është nominuar si ‘i korruptuar i madh’ nga Departamenti i Shtetit. Korrupsioni i tij ndikon fort në minimin e demokracisë dhe të shtetit të së Drejtës. Drejtësinë vazhdon ta manipulojë Berisha me njerëzit e vet që ka aty brenda.
Pa ndëshkimin e tyre nuk mund të ketë Drejtësi të besueshme në vend. Peshorja e Drejtësisë deri më sot akoma i drejton shigjetat te ‘Padrejtësia’. Ndërsa fajtorët e vegjël e mesatarë dënohen, të mëdhenjtë dalin në mitingje dhe i japin forcë Rusisë. Një raport i shpikur nga Dick Marty mban në burg liderët e UÇK; ndërsa një raport i Gery Kokalarit nuk dëgjohet nga SPAK(!). Duket në dritë të diellit se çfarë fshihet. As zëri i një shumice absolute njerëzore nuk dëgjohet. Pas katër ditësh presidenti Meta del nga zyra dhe është betuar se ‘sa të dalë e mjerë kush i del përpara!’. Presidenti shpall luftë…, në emër të kujt?
Kush heziton? SPAK ka merakun se liderët i lëndon ligji?… ‘Nëse i vret e Drejta, le të vdesin!’, shkruan Emmanuel Kant.
3. Ku është lidhja e SPAK me vijën ndarëse Rusi- Amerikë?
Kjo është një vijë që e kemi provuar në historinë tonë.
Herët, kur Prokurori i Përgjithshëm Bedri Spahiu tha se ishte ‘një njollë e zezë’, fitoi Rusia, dmth., BS, ose më mirë të themi: fitoi KGB. Ishin vitet ’50 të shekullit të kaluar. CIA dhe FBI nga Shtetet e Bashkuara tentuan që në vendin tonë të vendosej Demokracia, dhe dërguan luftëtarë…, por qe e pamundur. Fitoi KGB. Po të kishte fituar CIA që atëherë, sot do të ishim ‘Europë’ dhe ‘Perëndim’, Drejtësia do të ishte vendosur.
A është e qartë? Kjo është shumë e thjeshtë për SPAK: Është koha të marrim atë fitore të humbur. Ligji dhe Drejtësia e bëjnë, ose s’e bëjnë.
Kjo kërkohet tani nga SPAK, i kërkohet veç një fjalë e thjeshtë: Kush do të fitojë?