Pas 7 korrikut, Rama thërret manifestim në shesh më 28 korrik, porosi krerëve të degëve dhe administratës: Mblidhni sa më shumë njerëz!

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Edi Rama duket se e ka gjetur një përgjigje politike ndaj protestës masive të 7 korrikut të Partisë Demokratike. Kryeministri po përgatit një manifestim në sheshin “Skënderbej” më datë 28 korrik si moment festiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë ka planifikuar që ta mbyllë sezonin politik para pushimeve me një manifestim me pjesëmarrje masive në sheshin “Skënderbej”.

Teksa Sali Berisha dhe opozita e demonstruan forcën e tyre me një protestë para zyrës së Kryeministrit, që pjesëmarrjen e kishte me shifra tepër të larta, Rama nuk do të shkojë në pushime pa treguar se edhe ai ka popullin me vete. Protesta e 7 korrikut ka rritur kuotat e Sali Berishës duke premtuar se në shtator do ta kthejë Tiranën si Sri Lanka. Ndaj Kryeministri Edi Rama do të organizojë një manifestim më datë 28 korrik në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”.

Tri ditë më parë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me kryetarët e rinj të degëve të PS-së në rrethe. Pas takimit, drejtuesit politikë të qarqeve kanë zhvilluar takime informale me kryetarët e degëve, ku u kanë lënë porosi që të mbledhin sa më shumë qytetarë në manifestim. Të njëjtën porosi, drejtuesit socialistë, pritet t’ua lënë edhe kryebashkiakëve, të cilët pritet t’i mbledhë në një takim gjatë kësaj fundjave. Përtej orarit dhe vendit, mësohet se më datën 28 korrik do të ketë edhe artistë të ftuar, të cilët do të performojnë para qytetarëve që do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”.

Përveç hapjes së negociatave, një shtysë tjetër për të mbledhur sa më shumë njerëz në shesh është protesta e 7 korrikut e thirrur nga Sali Berisha, ku masiviteti i asaj proteste ishte i pazakontë po të kemi parasysh momentin kur u organizua dhe krizën, në të cilën është opozita. Nisur nga kjo, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos largohet me pushimet e verës pa bërë një demonstrim force në shesh për Sali Berishën.

Zjarr Tv Ad