Edi Rama duket se e ka gjetur një përgjigje politike ndaj protestës masive të 7 korrikut të Partisë Demokratike. Në panik nga tubimi i jashtëzakonshëm i 7 korrikut, Rama po përgatit një manifestim në sheshin “Skënderbej” më datë 28 korrik si moment festiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë ka planifikuar që ta mbyllë sezonin politik para pushimeve me një manifestim në sheshin “Skënderbej”. Protesta e 7 korrikut ka rritur kuotat e Sali Berishës duke premtuar se në shtator do ta kthejë Tiranën si Sri Lanka.
Tri ditë më parë, Rama zhvilloi një takim me kryetarët e rinj të degëve të PS-së në rrethe. Pas takimit, drejtuesit politikë të qarqeve kanë zhvilluar takime informale me kryetarët e degëve, ku u kanë lënë porosi që të mbledhin sa më shumë qytetarë në manifestim.
Të njëjtën porosi, drejtuesit socialistë, pritet t’ua lënë edhe kryebashkiakëve, të cilët pritet t’i mbledhë në një takim gjatë kësaj fundjave. Përtej orarit dhe vendit, mësohet se më datën 28 korrik do të ketë edhe artistë të ftuar, të cilët do të performojnë para qytetarëve që do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”.
Me detyrim përcaktim punonjësit e administratës shtetërore dhe militantët e PS-së nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Tiranë mes temperaturave të larta për të dëgjuar një fjalim të Edi Ramës dhe tingujt e muzikës.
Ndërkohë manifestimi që Partia Socialiste po përgatit vjen vetëm 4 ditë pas largimit të Presidentit Ilir Meta nga posti i kreut të shtetit që e mbajti për 5 vite, por edhe pas Kongresit të LSI që do të zhvillohet më 25 korrik./Syri.net