Studentët dhe qytetarët, të cilët udhëtojnë nga lindja drejt Tiranës dhe anasjellas, nuk do të presin me orë të tëra për të marrë autobusin. Terminali Lindor i autobusëve qytetas dhe ndërqytetas në kryeqytet pritet të jetë gati në fund të shtatorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punës në stacionin e ri, i konceptuar si një pikë lidhje ndërmjet transportit urban dhe transportit ndërqytetas dhe atij ndërkombëtar, për të sjellë një shërbim më të mirë për qytetarët dhe lehtësim të trafikut.
“Po punojmë në të gjitha portat hyrëse të Tiranës, ajrore e tokësore. Qyteti po pëson një rritje të jashtëzakonshme në infrastrukturë, po shtohet terminali i aeroportit, do të shtohet edhe pista, ndërkohë kemi portat tokësore në lindje dhe veri. 1/3 e trafikut në Tiranë vjen nga juglindja, që na lidh jo vetëm me Elbasanin, Librazhdin, Prrenjasin, Pogradecin, Korçën dhe Ersekën, por edhe me transportin ndërkombëtar nga Greqia, Turqia, Maqedonia dhe distanca të tjera. Kurse, 2/3 e trafikut vjen nga zona e Shqiponjës”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se, krahas terminalit lindor, masterplani i bashkisë parashikon edhe terminalin në zonën e Kamzës, për fluksin e udhëtarëve nga veriu.
“Për terminalin lindor do të jemi gati ta hapim në fund të verës, kurse për terminalin, te Kthesa e Kamzës, sapo ka nisur gara. Për çdo punë që bën Bashkia e Tiranës, nakatoset politika, futen gjyqtarët me masa sigurie, me letra false hipotekash, me copa dhe çibanë të legalizuara ndër vite, por më në fund edhe aty situata u sqarua dhe së shpejti nisim punën”, shtoi ai.
Terminali Lindor i autobusëve në kryeqytet do të ketë 65 vende për mjete, ndërkaq është menduar të ketë edhe një stacion për shërbimin taksi dhe linjat e transportit urban.
“Kemi 65 vende – dyfishin e atyre që na nevojiten në një ditë normale në terminalin provizor që kemi te “Qyteti Studenti”. Sigurisht, një pjesë e terminalit është vetëm për pritje, pjesa tjetër është mbërritje-nisje, me një minutazh më të kufizuar. Ka shumë qyteza të vogla që udhëtimin interurban e bëjnë me furgon dhe pjesa tjetër do i takojë transportit urban me taksitë që operojnë në Bashkinë e Tiranës, dy linjat e autobusit, njëra që vazhdon nga Sauku, duke dalë në “Rrugën e Elbasanit” deri në qendër të Tiranës, dhe tjetra që ndjek itinerarin nga TEG-u te Kopshti Zoologjik, Diga e Liqenit, sheshi “Uilson”, prapë në Bulevard, në qendër të Tiranës. Kemi vendosur standardin e një terminali modern udhëtarësh”, theksoi Veliaj.