Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i është përgjigjur sërish biznesmenit Irfan Hysenbelliut pas disa materialeve të publikuara në mediat “Focus Group”.
Drejtori Genti Gazheli, tregon se sulmi ka ardhur pas një gjobe prej 23 715 310 ( njëzet e tre milon e shtatëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë) të vendosura ndaj Birra Tirana për evazion fiskal. Gazheli nënvizon se gjendet nën shantazh për të anuluar vendimin e tij. Për këtë ai tregon se do t’i drejtohet trupit diplomatik dhe organizatave mediatike.
Postimi i plotë
Grupi mediatik i pronarit Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht edhe sipërmarrës i kompanisë “Birra Tirana”, ndëshkuar së fundmi me 23 715 310 ( njëzet e tre milon e shtatëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë) gjobë nga Dogana Shqiptare vazhdon shantazhin mediatik në adresën time. Ndërkohë pas autoriteteve shtetërore unë po vijoj informimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu do të informoj edhe shoqatat e medias brenda dhe jashtë vendit për këtë shantazh ndaj meje personalisht, i cili është i tillë dhe s’ka lidhje me misionin e informimit të publikut sepse:
- Kjo akuzë është ngritur disa herë qysh prej vitit 2016 dhe faktikisht punonjësit e vënë në shënjestër nga organizata e Irfan Hysenbelliut nuk kanë asnjë dënim në Greqi. Përkundrazi, kanë dëshmi të pastër penaliteti nga autoritetet greke, sikundër është bërë publike më parë.
- Unë i kam gjetur në administratën doganore këta punonjës dhe as i kam sjellë nga shtëpia, as i kam promovuar për shkak të ndonjë lidhjeje të veçantë. Prandaj është shumë e qartë pse sulmohem dhe arsyeja s’ka lidhje as me rastin në fjalë, që daton në një kohë kur unë s’kam qenë fare këtu, as me lidhjen time me ta.
- Akuzat mbi mua ka lidhje me gjobën ndaj “Birrës Tirana” dhe unë jam paralajmëruar më parë që nuk duhet të hapja luftë me zotin Irfan, sepse “mediat e tij kanë futur nē burg Fullanin dhe kanë fuqi shkatërruese”.
- U kam thënë paralajmëruesve se zoti Irfan ka punën e tij dhe unë kam detyrën time, prandaj pushka top sepse nëse ai mediat i paska pushkë, unë detyrën shtetërore e kam sfiduar kundër evazionit fiskal dhe evazorëve si Irfan Hysenbelliu.
- Nuk është aspak çudi që si një burracak i vërtetë, që gjuan me pushkët e tij për llogari të bizneseve të veta, Irfan Hysenbelliu nuk i publikon ato që them unë për këtë rast, po nxjerr vetëm ato që thonë të urdhëruarit prej tij.
- Ju lutem mediave të tjera që t’i publikojnë natyrisht duke publikuar edhe versionit e ulët të zotit Irfan! Sepse publiku duhet t’i dëgjojë të dyja këmbanat dhe pastaj të gjykojë vetë.
- Doganat Shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, të thellojnë arritjet dhe të adresojnë boshllëqe dhe të meta që nuk mungojnë. Kush shkel apo ka shkelur ligjin do te vazhdojë të largohet nga puna. Por shkelja e ligjit dhe kalloja e shkelur e zotit Irfan jo vetëm nuk janë e njëjta gjë, po janë arsyeja pse unë jam me ligjin dhe Fania i famshëm është me kallon!