Meta mbyll mandatin si President dhe sulmon qeverinë, Braimllari paralajmëron rikthimin në politikë dhe zbulon se do rimarrë drejtimin e LSI

0
88
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dje ishte dita e fundit e presidentit Ilir Meta si president i Republikës së Shqipërisë. Ai ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij Bajram Begaj, i cili u betua fillimisht në Kuvend. Meta zgjodhi që të përshëndesë qytetarët shqiptarë në një postim të fundit si kryetar shteti në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ai u shpreh se ka qenë nder dhe privilegj që t’i shërbente vendit në këto pesë vite të mandatit. Sikurse e ka paralajmëruar, duket se nis një tjetër sfidë për Ilir Metën. I cilësuar si president “opozitar”, Meta do t’i kthehet betejës kundër Edi Ramës, me të cilin ka pasur përplasje të forta gjatë këtyre viteve, por këtë herë si kryetar i një partie opozitare. Pritet që në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që mbahet nesër ai të rikthehet si kryetar i saj. Ndërkaq, në postimin e tij të fundit në rrjetet sociale, Meta ka zgjedhur që t’ju përgjigjet komenteve të qytetarëve, duke dhënë më shumë detaje për rrugën e tij të re. Ai ka shkruar se beteja të forta ka përpara, ndërsa një falënderim ka edhe për “popullin e 2 marsit”.“Beteja të forta kemi përpara. Por a mund të arrish në maja pa bërë edhe pak malore? Malet tona më të larta! Një agim i ri nis nesër që do të rikthejë demokracinë dhe llogaridhënien. E ndjeja përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Mirënjohje në veçanti për popullin e 2 Marsit për ndërgjegjen e lartë patriotike që tregoi”, shkroi Meta.

Braimllari: Meta, domosdoshmëri për ndryshimin

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim mban sot Konventën Kombëtare, të cilës do t’i bashkohet edhe Ilir Meta. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari thotë se e hëna do të jetë një ditë-pikënisje për ridimensionimin e LSI ndërsa roli i Metës do të jetë një nevojë e domosdoshme për opozitën, që ajo të sjellë ndryshimin.“Duhet të ridimesionohet dhe të shtojë energjitë e saj, sepse ne tashmë kemi sfida të reja. Sot vendi përballet me shpopullim total, largimin e të rinjve e të rejave, me kosto të lartë të jetesës, paga të ulëta e mungesën e vendeve të reja të punës. Pra, një forcë politike nuk mjafton vetëm t’i denoncojë, por duhet edhe të sjellim një alternativë sesi do t’i qaset opinionit publik, për të qenë alternativë qeverisëse nesër për ndryshimin. Në këtë kuadër, nevojitet një ridimensionim total”, tha Endrit Braimllari. Rikthimi i Metës në opozitë, sipas Braimllarit është një domosdoshmëri për të bërë të mundur ndryshimin.“Opozita ishte e tradhtuar nga lidershipi i shkuar i Partisë Demokratike. Kontributi i zotit Meta do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm për ridimensionimin e rolit të opozitës, por mbi të gjitha do të jetë një nevojë e domosdoshme për të sjellë ndryshimin në vend”, tha Braimllari. Ai zbulon se Lëvizja Socialiste për Integrim do të nisë një fushatë të asaj që e quan thithje të energjive të reja. “Lëvizja Socialiste për  Integrim si forcë opozitare bën aleancë me qytetarët, me shoqërinë civile që është në luftë reale me keqqeverisjen. Cilido që është faktor politik a jo-politik që është kundër politikës së Edi Ramës dhe rilindjes patjetër që i ka dyert e hapura. Por cilido qoftë që mendon për interesat personale meskine nuk i shërben as LSI në vetvete dhe as vendit. Pra synojmë që LSI të jetë mekanizëm që i shërben atyre për të ndryshuar vendin. Në këtë kuadër, kërkohen energji të reja, vizion i ri dhe një tjetër qasje politike”, tha Braimllari.

Zjarr Tv Ad