Skuadra e Kukësit ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Trajneri Gega ka në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve me të cilët do të përpiqet të arrij objektivat maksimal të klubit sezonin e ardhsëm.
Mësohet se verilindorët do të qëndrojnë për rreth dy javë në Turqi ku përvec stërvitjes do të zhvillojnë edhe disa teste miqësore për të parë gjendjen e skuadrës.
Ka qënë vetë klubi i Kukësit që ka njoftuar fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” ku shkruan:
“Ekipi ka udhëtuar mëngjesin e sotëm në drejtim të Turqisë, ku do të kryejë fazën përgatitore për dy javët në vazhdim.
Skuadra është grumbulluar në një nga hotelet e Bolu, teksa falë kushteve të përshtatshme klimatike, ekipi do të marrë ngarkesën maksimale para fillimit të kampionatit.
Në tokën turke, skuadra jonë do të zhvillojë edhe 3 ndeshje miqësore, teksa pas dy javësh rikthehet në Tiranë për të përgatitur ndeshjen e parë të Superiores ndaj Tiranës e cila do të luhet në “Kukës Arena”.