Zbulohet raporti i hetimit të Ministrisë së Drejtësisë për Doganat: Si po zhdoganohen makinat luksoze “të dëmtuara” vetëm me foto internet

0
120
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Drejtoria antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka hartuar një raport të plotë mbi korrupsionin në dogana me zhdoganimin e makinave luksoze.

Raporti prej 6 faqesh, mban datën 12 maj 2022 dhe është firmosur nga drejtori i Drejtorisë Operacionale për çështjet antikorrupsion, Gjergj Prabibaj.

Sipas këtij dokumenti, të cilin “Balkanweb” e disponon të plotë, vihet theksi te fakti që makinat luksoze zhdoganohen me vlera qesharake vetëm duke paraqitur disa fotografi si të dëmtuara, të përplasura, apo të përmbytura në vendet nga vijnë.

“Këto praktika pa foto ilustruese ngrenë dyshime nëse këto mjete a kanë qenë realisht të dëmtuara dhe nëse po a është kjo shkalla e vërtetë e dëmtimit. Mjetet e përmbytura a janë vërtetë mjete të cilat janë të dëmtuara dhe do kërkojnë punë shtesë që të bëhen të përdorshme apo janë thjesht mënyra për të shmangur detyrimin doganor”, thuhet ndër të tjera në aktin e konstatimit të Drejtorisë Antikorrupsion.

Letra e anti-korrupsionit

Nga komunikimi verbal por edhe nga këqyrja e dokumentacionit të sipërpërmendur rezulton haptazi një praktikë e paunifikuar, mjaft subjektive dhe aspak objektive. Konkretisht mjeti i dëmtuar, vjen në doganën Durrës, kontrolli fizik supozohet të kryhet po aty, ndërsa përllogaritja fillestare në bazë të referencës me “Quattro Ruote” minus 20% dhe përllogaritja e dëmtimit të mjetit kryhet nga Drejtoria e Vlerësimit në Qendër. Situatë mjaft absurde e cila lejon haptazi hapësirë për praktika arbitrare dhe abuzive, pasi vlerësimi bëhet nga zyra në bazë të fotove të dërguara nga dega doganore drejt qendrës. Vlen të theksohet se në të gjitha praktikat e administruara merret pa rezerva ulja fillestare me 20%.

Rezulton se një pjesë e mirë e mjeteve të hyra në Shqipëri. Si të dëmtuara, nuk janë vetëm me dëmtime fizike (të karamboluara) të dukshme, por kanë edhe dëmtime të fshehura si dëmtime motorike (sistemi i kambios, dëmtim totali agregatit), apo të përmbytura nga uji dhe aluvionet. Nga këqyrja e dokumenteve të administruara rezulton se për dy automjete “Mercedes” të përmbytura, rezulton se vetëm nga fotot është absolutisht e pamundur të bësh një vlerësim efektiv të shkallës së dëmtimit pasi automjetet duken në gjendje mjaft të mirë dhe nuk kanë asnjë dëmtim evident.

Pyetja që me të drejtë shtrohet është si arriti qendra të bënte vlerësimin, apo vetëm me një printim të faqes së ankandeve? Për mjetin tip “Mercedes” qendra ka përllogaritur dëmtim në masën 18%, vetëm nga fotot pasi automjeti shihet qartazi që nuk ka asnjë dëmtim tjetër.

Evidentohet se vetëm nga 16 praktikat e administruara (nr. relativisht i vogël), disa prej tyre nuk kanë foto të bëra nga dogana në “sheshin e trageteve”, por administrojnë vetëm foto interneti të faqes së ankandeve apo të vendit ku ka qenë mjeti në shitje. Ndërkohë që është detyrim të ketë fotot të reale të mjetit në momentin e zhdoganimit.

Duke qenë se nuk ka asnjë relacion shpjegues për masën dhe llojin e dëmtimit edhe vetëm përqindja e ulur duket mjaft subjektive pasi vetëm nga këqyrja me sy të lirë e fotove rezultojnë të paktën 3 praktika që kanë dëmtime gati të njëjta ndërkohë që vlera e uljes doganore luhatet ndjeshëm dhe konkretisht: BMË përfiton 20% ulje me dëmtim minimal, ndërkohë “Mercedes” me dëmtim identik përfiton 8% ulje, “Mercedes” përfiton 25% ulje me dëmtim gati identik me nr. R-50345 “Mercedes” i cili përfiton 8% ulje.

Rezultojnë përllogaritje dëmtimi deri në masën 50% së cilës po ti shtojmë edhe 20% që e përfitojnë gati të gjithë mjetet që llogaritja e vlerës bëhet me “Quattro Ruote” shkon në total rreth 70%. Pra mjetit me nr. R 1794 i është bërë ulja finale 70% pa u mbajtur asnjë lloj relacioni pse u aplikua kjo vlerë kaq e lartë dëmtimi.

Mjeti me vlerë reference 65.400 euro është zhdoganuar për shkak të këtyre përllogaritjeve nga zyra në 26160 euro. Diferenca e të ardhurave për doganat vetëm për këtë rast është 13800- 5520 = 8280 euro dhe kjo vetëm për një mjet. Edhe për këtë mjet mjaft luksoz (65400 euro) dogana është mjaftuar vetëm me fotot e internetit të kompanisë që e ka shitur (faqes së ankandit) dhe nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë foto të gjendjes reale në sheshin e doganës.

Si përfundim këto praktika pa foto ilustruese ngrenë dyshime nëse këto mjete a kanë qenë realisht të dëmtuara dhe nëse po a është kjo shkalla e vërtetë e dëmtimit. Mjetet e përmbytura a janë vërtetë mjete të cilat janë të dëmtuara dhe do kërkojnë punë shtesë që të bëhen të përdorshme apo janë thjesht mënyra për të shmangur detyrimin doganor.

Zjarr Tv Ad