Çmimet e gazit janë rritur për 9 për qind pasi Rusia ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në Gjermani dhe vende tjera të Evropës Qendrore.
Kritikët akuzojnë Qeverinë ruse se po përdor gazin si armë politike, prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.
Rusia i ka zvogëluar furnizimet në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1 – që bart gazin në Gjermani.
Ky gazsjellës tani është duke operuar me një të pestën e kapacitetit që ka.
Gjermania importon 55 për qind të gazit të saj nga Rusia dhe pjesën më të madhe e siguron përmes Rrjedhës Veriore 1.
Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka tentuar të arsyetojë vendimin e fundit, duke thënë se zvogëlimi i sasisë është i nevojshëm për të kryer disa punime në turbinë.
Megjithatë, Qeveria gjermane, ka thënë se nuk ka arsye teknike për të zvogëluar sasitë.
Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur “terror” ndaj njerëzve.
“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Këto vendime të Gazpromit rrisin presionin në shtetet e BE-së, të cilat janë duke diskutuar si të ulin varësinë që kanë ndaj gazit rus.
Të martën, Ministrat e Bashkimit Evropian për Energji kanë arritur pajtueshmëri që shtetet e tyre të zvogëlojnë përdorimin e gazit, në rast se Rusia ndal furnizimet.
Ato janë pajtuar që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit për 15 për qind, nga gushti deri në muajin mars.
Marrëveshja për zvogëlim vullnetar të përdorimit të gazit mund të bëhet e detyrueshme në rast të ndonjë emergjence.
BE-ja ka thënë se disa shtete, që nuk janë të lidhura me gazsjellës të vendeve tjera, mund të përbëjnë përjashtim nga kërkesa për një zvogëlim të tillë, meqë nuk kanë furnizime alternative.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë, nga ana e Rusisë, më 24 shkurt, çmimi i gazit është rritur disa herë dhe ky konflikt ka pasur ndikim në faturat e energjisë në gjithë botën.
Kremlini ka thënë se çmimet e larta janë rezultat i sanksioneve të Perëndimit, duke insistuar se është partner i besueshëm i energjisë dhe nuk është përgjegjës për pengesat e fundit në furnizimet me gaz.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL