Drejtorja e AKSHI-t Linda Karcanaj në një konferencë lidhur me sulmin kibernetik me të cilin u përball Shqipëria u shpreh se u deshën plot 14 ditë punë për të rikthyer sistemet. Tashmë, bëri me dije Karcanaj, 98% e shërbimeve online janë në funksion. Ajo theksoi se hakerat kishin objektiv fshirjen e sistemeve kritike qeveritare, por falë izolimit të sulmit, asnjë e dhënë nuk ka humbur.
Karcanaj: Pas 14 ditësh pune të pandërprerë nga ekipi i AKSHI-t, u bë e mundur që edhe administrata publike t’i kthehet normalitetit. Përgjigja e AKSHI-t ka qenë në dy fronte, rikuperimi i të gjitha sistemeve kritike qeveritare dhe paralelisht edhe izolimi i aktivitetit keqdashës. Ky sulm nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit tonë. llojet e sulmit ishin dy. Aktiviteti i parë nisi në formën e një sulmi ramsoware. Objektivi i vërtetë i sulmit ishte fshirja e të gjitha sistemeve kritike qeveritare. Falë reagimit të shpejtë nuk pati humbje të dhënash.
Pavarësisht se sulmi ishte i një shkalle të lartë, u krye izolimi i menjëhershëm i tyre. Sistemet u verifikuan një nga një që të ishin të sigurt para se të ktheheshin online dhe në funksionalitet. Falë punës të AKSHI-t, qëkëto javë nuk kanë vënë gjumë në sy, kemi këtë status: faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i fiskalizimit u rikthyen në funksion të plotë brenda 12 orësh nga sulmi, drejtoria e doganave, agjencia kombëtare e barnave. Mund të them që mbi 98% e shërbimeve online janë tashmë funksionale. E-albania u kthye në funksion./abcnews.al