Nga Artan Fuga.
Ne, në ato vite, kalamaj harrakatë në rrugën “Islam Alla”, një rrugicë tiranase, atëherë e mrekullueshme shtruar me kalldrëm dhe me shtëpi të pastra qerpiçi kryesisht, plot me kopshtije dhe me pemë frutore, lidhëse mes “Myslym Shyrit” dhe Rrugës së Kavajës, kishim mësuar një lojë sa qesharake, aq edhe të rrezikshme.
Nuk e kujtoj se kush na e shtiu ndërmend.
Nga porta prej druri e oborrit që i takonte familjes së njërit prej nesh, ku kishte një të çarë të vogël, nxirrnim një fije peri, në fundin e së cilës lidhnim një njëmijëlekësh të asaj kohe. Njëmijëlekëshi qëndronte në mes të rrugës sikur dikujt t’i kishte rënë nga xhepi a portofoli. Ideja ishte që kur njeriu që kalonte në rrugë ta shihte, të ulej ta merrte dhe ne ta tërhiqnim fshehurazi fijen e perit që letra e lekut të lëvizte në rrugë dhe ndjekësit e saj t’i shkonin pas për ta kapur.
Mos harrojmë që ajo rrugicë ishte strategjike sepse andej kalonin nëpunës që e kishin banesën në Tiranën e Re dhe punonin nga ana e Rrugës së Durrësit, ku kishte institucione si Ministria e Arsimit, shtëpitë botuese, zyra të Komitetit Ekzekutiv etj.
Kishim qejf të shihnim në orët e para të mëngjesit, ose në muzgun e paradarkës që nëpunës të kollarisur, me kravata, me pamje të ndershme hipokrite, që ecnin si kallama duke mbajtur gjoksin gufmuar përpara dhe vithet pak të nxjerra nga pas si pasojë e impostimit, t’i shihnim duke ecur këmbë e duar në kalldrëm duke gjurmuar lekun si qeni kockën që gjen në rrugë!
I urrenim ato qënie hipokrite, servile, pa shpirt që ecnin me dy këmbë si gjithë njerëzit e tjerë, por ua punonin pas shpine të gjithëve!
Por qejfin më të madh kishim të arrinim të rrëzonim në kalldrëm njërin prej tyre, atë më të gjatin, që ecte rrugës duke u tundur, me një dosje të zezë llustrafin në dorë, me këpucë me maja, dhe me kokën gjysmë tullace. Ishte i përbuzshëm në fodullëkun e vet bosh! Nuk di se përse e përbuznim aq shumë!
Ai një copë nëpunësi gjysmë i lartë ishte, një lloj servili që hiqej sikur të ishte sundimtari! Nuk ishte veçse një tip rregjenti!
Sot mendoj që ndofta ai që na e shtiu në mendje këtë lojë për të provuar dinjitetin dhe ndershmërinë e nëpunësve ka qenë ndonjë armik i popullit, ndonjë disident i fshehur, ndonjë i pakënaqur ose thjesht ndonjë tironc i djallëzuar, që dëshmonte kështu se sa vlente teoria e njeriut të ri të pakorruptuar.
Sa herë e kemi provuar atë lojë, sa gëzime, të qeshura dhe zhgënjime kemi pasur. Mbi dhjetë kalamaj fshiheshim pas derës prej druri, secili kishte vendosur syrin në një nga të çarat e saj për të parë skenën e teatrit dhe komedisë që do të luhej në rrugë. Nja dhjetë kalamaj të tjerë rrinin shpërndarë në rrugicë, gjoja në punë të tyre, por që ishin përqendruar te ngjarja që do të ndodhte.
Dhe njëri prej nesh, me radhë, kryente veprimin, tërhiqte fijen me lekun në majë, shtrirë njëmijëlekëshja mbi rrugën me kalldrëm dhe e tërhiqte atë sipas rastit. Ai ishte peshkatari. Ishte si një gjueti peshku, ku paraja prej letre ishte grepi. Çfarë nuk na kanë zënë sytë! Një lloj kamera e fshehtë e kohës. Kishte gra lyer me buzëkuq, me çanta vendosur në parakrah, me këpucë me taka, që sapo shihnin lekun e shtrirë në rrugë, shihnin para-mbrapa dhe uleshin hijshëm ta merrnin… As pyesnin se nga pas u dukeshin shalët e shëndosha me forma të shëmtuara!
Paraja ikte më tutje e tërhequr nga pas derës, hop edhe një hap, paraja kërcente më tej, derisa kishte nga ato idiote që pasi habiteshin, bënin një xhest mërzie me dorë dhe largoheshin të habitura.
Kishte burra me borselino që pasi e shihnin paranë në rrugë, ecnin disa hapa dhe pastaj vrullshëm ktheheshin për ta marrë. Por, ajo rrëshqiste në kalldrëm. Ata e ndiqnin me vrap duke kujtuar se e merrte era, deri sa të qeshura prej djajsh pas dere ose në rrugë i bënin të iknin të turpëruar.
Mirëpo, kishte edhe nga ata që kokën e mbanin lart dhe nuk shihnin çfarë thesari kishte poshtë këmbëve, e shkelnin pa dashje paranë me këmbë dhe ne mërziteshim: Po shihe o derdimen, çfarë fati të ka dalë!
Mos harrojmë se për një nëpunës të kohës, ajo shumë ishte sa një e teta e pagës mujore. Nuk ishte e neglizhueshme aspak. Na ndodhi që një burrë i dobët, i thatë, me kasketë, duke ecur, fap shkeli fijen, na e bllokoi, kapi letrën e parave me dorë, e shkuli me vendosmëri nga fija, e futi në xhep dhe pasi na pa me urrejtje dhe djallëzi, qeshi duke na thënë: “Provojeni nesër përsëri po deshët”. E kishte pikasur lojën.
Por, ne nuk tërhiqeshim. Ishte filmi ynë i ditës, ishte estrada jonë, testi ynë i sistemit, televizioni ynë, ishte shkolla jonë e njohjes së karaktereve të pista njerëzore që si krimba i kishin ngjitur shkallët e zyrave.
Ajo që ndodhi atë ditë nuk ka të krahasuar. Donim një peshk të madh atë ditë. Donim medoemos të shtrinim në rrugë si qen duke e parë sikurse ishte, qen të lekut, atë, tipin që gjithë tangarllik ecte fodull me dosjen e zezë në dorë!
Ai na dukej më idioti i të gjithëve, më i poshtri, më hipokriti. Goni i Canes nuk di se përse i kishte vendosur nofkën “rregjenti”! Na kishte lodhur qeni deri atë natën kur dëshira për ta parë këmba-doraz na kishte hypur në kokë si nxhetësia përvëluese e diellit të drekës!
Ndaj pritëm muzgun që fija të mos dukej fshehur në kalldrëm. Prisnim të kalonte ky nëpunësi i gjatë, me kostum e kollare, që kishte një pamje fodulle dhe që nuk na e varte fare. Ikte i vetëm në punë dhe kthehej i vetëm. Ndonjëherë e shoqëronin tre a katër gra që e vinin në mes dhe e shihnin sikur ta kishin dashnor, a shef haremi. Ishte me siguri së paku drejtor drejtorie.
Dikush na njoftoi me fishkëllimë se ai po vinte, sapo kishte hyrë në rrugicë. Pritëm të largoheshin kalimtarët para tij dhe ngritëm kurthin. Sa herë e kishim ngritur enkas për të, por ai as nuk ia vërshëllente fare për të parë se çfarë thesari kishte në tokë.
Por, atë muzg kishim shpresë përsëri.
E kafshoi grepin, pas portës ne pamë se ai e vuri re njëmijëlekëshin shtrirë mbi rrugë. Koka u përqendrua në atë drejtim, ngadalësoi hapin, në një çast ktheu kokën pas, askush pas tij, çfarë fati për ne!
U afrua ngjitur me njëmijëlekëshin dhe u përkul gjoja po lidhte këpucën. Afroi dorën e gjatë, mbi të cilën dallova mbi gishta qime të zeza. Shoku ynë pas porte ishte mjeshtër, e lëvizi vetëm dy centimetra fijen. Nëpunësi bëri një lëvizje të vogël me këmbën e majtë, u afrua pak, zgjati dorën në muzg ta kapte lekun, fija e tërhoqi letrën me vlerë edhe pak fare. Dukej sikur një puhizë e lehtë ere e shtynte letrën e lekut më tutje, “regjenti” bëri ta kapte, por disi u pengua dhe ra në gjunjë. Uaaaaaaaaaa! Zemrat tanë gufmuan në një hare të heshtur!
Pas dere ne nisëm të zgërdhiheshim, por shoku ynë që drejtonte operacionin na pa me sy të egër dhe vuri gishtin në buzë për të thënë se duhej të pushonim. Lot nga sytë.
Nëpunësi në rrugë, çoi përpara gjurin e djathtë, njëmijëlekëshi u largua edhe pak centimetra. Nëpunësi si duket mendoi ta kapte pa lëvizur gjunjët, duke shtrirë parakrahun drejt parasë që shkoi disa centimetra më tutje. Mjeshtër i psikologjisë, i perceptimit të objekteve në muzg, ishte shoku ynë që tërhiqte perin. Pashë një manshetë këmishe të bardhë që doli nga mënga e xhaketës të nëpunësit që po zgjatej drejt lekut, dhe një orë dore mbi kyç. Dora shkoi drejt lekut dhe leku iku më tej, nëpunësi u zgjat me trup dhe në një çast, dora nuk e mbajti më.
Kravata i kishte dalë nga xhaketa dhe lëpinte si gjuhë tokën. Dukej si langua i uritur që jargavitet përpara një kocke. Pamja ishte monumentale për ne.
Ra mbi bërryla dhe shtriu dorën pa turp, sikur donte ta mbaronte sa më shpejt atë skenë lemerie. Kapela i ra nga koka dhe koka e tij gjysmë tullace shkëlqeu nga drita e zbehtë e llambës mbi shtyllën e elektrikut prej druri. Barku takoi në kalldrëm, shtriu dorën ta kapte njëmijëlekëshin, por ai shkoi më tej.
E kishim shtrirë në tokë.
Tuç mbi bark!
Ishte arritur objektivi. Ishte deskridituar në publik qeni i parasë!
Filluam të qeshnim me të madhe dhe të bërtisnim.
Hapëm portën dhe ulërinim me gaz e hare.
Ai u ngrit, rrotulloi kokën dhe sytë i turpëruar, me habi në sekondat e para dhe brenda disa çastesh e kuptoi. Mblodhi veten, fshiu gjunjët e pantallonave të hekurosura me një vijë hekuri, që ndante çdo këmbë pantallonash në mes dhe mblodhi kasketën e tij. Nga kalldrëmi mori edhe çantën e vet bojëkafe prej lëkure.
Iku sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Dëgjuam vetëm: “Rrugaçë të ndyrë! Pisa!”
Ulërimat tona të gëzuara u ngjitën në qiej.
Ai po na shante. Çfarë qejfi!
Nuk e pamë kurrë të kalonte më nga rrugica jonë e famshme e Tiranës.
Vite më pas dëgjova në televizion se e kishin dekoruar, nuk e di për çfarë.