Sulmuesi i kombëtares Rei Manaj ka debutuar dje në ndeshje zyrtare me skuadrën e Uotford, në javën e parë të kampionatit në kategorinë e dytë angleze. Skuadra e Manaj arriti të fitonte me rezultatin minimal 1-0 ndaj Shefilld Junajtid.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare u aktivizua në minutën e 81-të, kur rezultati ishte 1-0 për skuadrën e tij, ndërsa u shfaq mënjëherë rrezikshëm me një gjuajtje nga jashtë zonës, që u neutralizuar nga portieri kundërshtar.
Kështu, Uotford mori tre pikë të vlefshme në ndeshjen e parë të kampionatit, në të cilin është një nga pretendentët për ngjitjen në Premier Ligë. Mundësia për të luajtur në elitën e futbollit anglez tërhoqi Manajn i cili pranoi ofertën edhe pse bëhej fjalë për të luajtur në Championship në këtë edicion.