Premier Liga duket shumë pranë vendosjes së rekordit më të madh të shpenzimeve në histori këtë merkato vere. Kur kanë ngelur ende tri javë nga mbyllja e merkatos, trajnerët e Premier Ligës kanë shpenzuar në total 1.22 miliardë paund, ndërsa deri në fund të merkatos pritet që kjo shifër të vijojë të thellohet, duke kërcënuar seriozisht rekordin historik të vitit 2017, kur klubet e Premier Ligës e mbyllën merkaton me 1.43 miliardë paund shpenzime në total.
Bota mund të jetë në krizë ekonomike, shkaktuar edhe prej pandemisë, por Anglia nuk njeh limite. Mark Kukureja te Çelsi u bë tansferimi i katërt prej më shumë se 60 milionë paundësh fundjavën e shkuar pasi u transferua në “Stamford Bridge” nga Brajtoni. Darvin Nunjez (Liverpul), Erling Haland (Mançester Siti)dhe Riçarlison (Totenhem) janë tre emrat e tjerë për transferimin e të cilëve janë paguar më shumë se 60 milionë sterlina këtë verë. Dhe kjo merkato me të tilla shifra është e pabesueshme që në këtë moment.
Ajo pritet të pasurohet më tej me transferime të tjera të bujshme. Evertoni është shumë pranë transferimit të mesfushorit të Lilës, Amadu Onana, për rreth 34 milionë paund, ndërsa Mançester Junajtid nuk ka hequr dorë nga transferimi i Frenki de Jongut nga Barcelona për një shifër që i kalon 60 milionë paundët. Çelsi është gjithashtu duke ndjekur me interes mbrojtësin e Lestërit, Uesli Fofana, ndërsa “Dhelprat” kërkojnë shifrën rekord të 85 milionë paundëve për kartonin e tij.