Është gjetur trupi i pajetë i 14-vjeçarit që u zhduk paraditen e së mërkurës në Lumin Seman. I mituri raportohet se është gjetur në një nga xhepat e lumit nga polumbarët mëngjesin së enjtes (11 gusht). Ai kishte dalë për peshkim dhe dyshohet se është hedhur në lumë për të nxjerrë grepat, që mendohet se i kishin ngecur në lumë, por s’ka mundur të dalë më.
“Ju bëjmë me dije se pas kërkimeve nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec dhe polumbarët e RENEA-s, sot rreth orës 10:40, u bë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së mbytur, shtetasit E. S., 14 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, informoi policia.
Edhe banorët e zonës kishin kërkuar përgjatë natës për gjetjen e tij në të dy anët e lumit Seman por pa sukses.
Pësoi fatin e të vëllait
Më shumë se 10 vite edhe vëllai i tij, atëherë në klasën e parë, është mbytur.
“Ishte në klasë të 9-të. Fëmija e dytë e familjes që mbytet. para 12 vitesh iu është mbytur fëmija tjetër. Babai s’ka një vit që i ka vdekur.Janë tëvarfër, edhe banesën bashkia ia ndërtoi. Pësoi të njëjtin fat si fëmija tjetër. Edhe ai është mbytur duke lozur. Kishte lënë shapkat dhe po lozte me bidona uji në lumë. Të njëjtin fat kishte edhe i vëllai”, tha një banore.
Babai i 14-vjeçarit ka ndërruar jetë nga Covid disa kohë më parë. I mituri dilte për peshkim për të mbajtur familjen, nën dhe motrat e tij pasi ndodhej në kushte të vështira ekonomike.
Burimi: Panorama.al