Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është arrestuar mbrëmjen e sotme gjatë një aksioni policor në qytetin e Beratit.
Bode është dënuar me 12 vite burg nga Gjykata Speciale për lidhjet e tij me grupin e Habilajve dhe rolin në trafikimin e tonelatave kanabis me gomone drejt Italisë.
Sokol Bode është një nga tre ish-punonjësit e policisë, ku së bashku me Gjergj Kohilën dhe Jaed Çelën u dënuan për shpërdorim detyre në favorizimin e grupeve kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.
Bode pritet të transportohet drejt Tiranës për të nisur vuajtjen e dënimit me burg.
Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut është provuar se është përfshirë në trafikun e mbi 3 ton kanabis sativa nga Shqipëria drejt Italisë, në kuadër të grupit të organizuar kriminal të drejtuar nga Habilajt.
Sokol Bode u transferua nga drejtor i postës në Dhërmi në prill të 2017, në Shkodër ku iu dha posti si Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve.
Me 7 prill të 2017 ai ka marrë masë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe ka qenë në hetim edhe nga SHÇBA, pasi në njësinë administrative ‘Guri i Zi’ në Shkodër u zbulua një mini sere ku u gjetën 87 kubikë kanabis. Përveç këtij për këtë rast kanë qenë në hetim edhe 4 punonjës të tjerë policie.