Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi kreun e qeverisë Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku se do të përballen me drejtësinë në lidhje me aferat për ndërtimin e rrugëve.
Berisha u shpreh se ata duan të mbushin thasët me euro nga taksat tona pasi sipas tij sot për sot drejtësinë e kanë në thes.
“Ky është një disnivel i krijuar me qëllim që të plaçkiten më tej taksapaguesit shqiptarë. 10 ditë më parë Edi Rama njoftoi se janë marrë 50 mld euro të tjera borxh për vazhdimin e kësaj rruge për shkak të disnivelit. Kjo kërkon stërgjatje. Zhvlerëson kategorinë e rrugës. Rruga është aks kombëtar. Kjo e bën rrugën qesharake. Tani duan ta zgjasin dhe ta stërgjasin derisa të puqen lotet. Këto nuk janë aksidente. Këto nuk mund të jenë kurrë rastësore. Janë mekanizma vjedhje të taksa paguesve shqiptarë.
Sot edhe tunelet me teknologjitë e reja. Edhe metrotë. Përjashtohet mundësia e disnivelit dhe mospërputhjeve. Në rrugë mbitokësore. Kjo i nodh vetëm Edi Ramës dhe Belinda Ballukut sepse duan të mbushin thasët me euro nga taksat. Drejtësinë e kanë në thes. Por i garantoj se drejtësia vonon por nuk harron”, tha Berisha.