Veliaj inspekton punën për transformimin e Parkut të Liqenit të Farkës: Një mushkri e dytë për qytetin

0
43
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Parku i Liqenit të Farkës, i dyti më i madhi në Tiranë pas atij të Liqenit Artificial, i cili është kthyer në një atraksion të ri për turizmin në kryeqytet, do rivitalizohet përmes një projekti të ri transformimi nga Bashkia e Tiranës. Veç gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse e rekreative, projekti parashikon ndërtimin e një pistë vrapimi dhe korsie biçikletash që do të përshkojnë thuajse të gjithë vijën lineare buzë liqenit, duke e vënë kështu parkun në funksion edhe të aktiviteteve sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar punimet që po kryhen, duke nënvizuar faktin se kjo hapësirë e gjelbër publike me terrenet e reja dhe ato që po ndërtohen, do t’i shërbejnë të gjithëve.

“E gjithë Farka është kthyer në një kantier këto kohë. E di që një kantier i ka lanë stafetën një kantieri tjetër, por më vjen mirë që mbajtëm premtimin për ekipin e volejbollit. Kemi pallat sporti në Farkë, ndoshta më të mirin që kemi sot në Tiranë. Ndihem shumë mirë që në nivel kapilar ne kemi shkuar në çdo rrugicë”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, Farka është vend i kontrasteve të mëdha, ku ka të përfshirën pjesën rurale dhe atë pjesë të Tiranës që banon në rrethinat e Farkës, Mulletit, Petrelës edhe Lundrës. “Roli i Bashkisë është që të bëjë një investim dhe të ndërtojë një infrastrukturë që të gjithë i bën të ndjehen të barabartë. Nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga fshati apo nga qyteti, nëse dikush është i pasur apo me ndihmë sociale, kur vjen në një hapësirë publike ndjehet i barabartë me të tjerët, ashtu siç në fakt kemi bërë edhe me Parkun e Liqenit,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës solli në vëmendje se askush nuk mund ta imagjinonte vetëm pak vite më parë që në Liqenin e Tiranës do zhvillohej një event i përmasave të “Sunny Hill Festival”.

Gjetëm një gjysmë parku të Liqenit, gjysma tjetër në fakt ishte tek ish-komuna Farkë. Parku i Liqenit Artificial, jo vetëm është dyfishuar si territor dhe si hapësirë,- janë mbjellë qindra mijëra pemë -, por edhe është shumëfishuar me evente kulturore dhe aktivitete sportive, një hapësirë që sot numëron mbi 250 mijë vizitorë”, bëri të ditur Veliaj. Ai tha se kjo situatë sot ishte paimagjinueshme më përpara kur i gjithë Parku Liqenit ishte kthyer në një landfill.

Sot jemi në të njëjtën situatë ku ne duam të ndërtojmë jo vetëm për 20 vitet e ardhshme, por ndoshta për 100 vitet e ardhshme e ku secili ka diçka për të bërë: Kush është i ri do të shkojë tek “Sunny Hill”; Kush është me fëmijë do të shkojë tek këndi i lodrave; Kush është i moshuar do luajë një domino dhe kush ka dalë për të pirë një kafe me familjen e vet të ketë mundësi ta ketë këtë shërbim. Të njëjtën gjë duam të bëjmë në Farkë,” deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Bashkia e Tiranës do të marrë praktikat me të mira të projekteve të realizuara në Parkun e Liqenit Artificial dhe do t’i realizojë edhe në Parkun e Farkës.

Do të marrim mësimet më të mira të Liqenit Artificial dhe do t’i implementojmë këtu, përveçse do të shtojmë edhe disa hapësira të tjera. Duke qenë se Amfiteatri ka funksionuar në mënyrë fantastike tek Liqeni Artificial, do ta realizojmë edhe në Farkë. Do të ketë dhe këtu korsi biçikletash dhe një hapësirë fantastike për ata që duan të vrapojnë apo të merren me sport”, sqaroi Veliaj.

Më tej, ai vuri në dukje se Bashkia e Tiranës ka filluar ta brandojë liqenin e Farkës si një hapësirë për eventet sportive.

Triathlona e Tiranës dhe shumë aktivitete të tjera në not zhvillohen në Liqenin e Farkës. Uji ka qenë i pastër, por do të jetë akoma më i pastër tani që i gjithë liqeni do të rrethohet nga një sistem kanalizimesh, për t’u siguruar që asnjë ndotje nuk shkon në liqen”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai shtoi se këto ndërhyrje do të mundësojnë që uji i liqenit të jetë “akoma më i pastër për Triathlonën, për aktivitetet e varkave dhe për këdo tjetër që ndoshta do të dojë edhe të bëjë plazh e s’i ka mundësitë ndoshta të shkojë në bregdet, por të ketë mundësi në një park publik të Tiranës, siç ndodh në fakt në shumë parqe publike”.

Veliaj tha se ky transformim do t’i rrisë vlerën edhe kësaj prone, si kudo ku është vënë dorë me investime në Tiranë, ndërsa një mesazh e kishte dhe për ata politikanë që nuk e shohin këtë transformim:

“Unë e di që në Tiranën me 1 milionë banorë ka edhe njerëz toksikë, ka edhe politikanë përçarës. Ka nga ata që nuk shohin asnjë pemë të mbjellë, asnjë pastërti, nuk shohin asnjë aktivitet. Atyre s’kemi ç’u bëjmë. Duke sharë nuk mbillen pemët, nuk bëhet parku, nuk rregullohet liqeni, nuk mblidhen plehrat. Duke sharë e mallkuar çdo ditë e natë dhe duke përçarë njerëzit, nuk ka progres.

Progres ka vetëm kur djersitesh në punë dhe kur sigurohesh që një vizion që e ke në kokë ta kthesh në një realitet që do i mbijetojë jo vetëm mandateve tona, por ndoshta edhe jetës sonë dhe do jetë këtu për brezat e gjeneratën e fëmijëve tanë. Këto janë ndërhyrje që do t’i gëzojë gjithë Tirana dhe do i japë qytetit një mushkëri të dytë që do jetë, në jetë të jetëve”, përfundoi ai.

Në projektin e ri janë parashikuar dhe disa ndërhyrje që e bëjnë edhe më atraktiv parkun e Farkës, si pedanolja, këndi i lojërave, aktiviteteve për fëmijët e grupmoshave nga 1 deri në 14 vjeç, si dhe zonë pikniku në të gjithë ambientin rrethues, zona e amfiteatrit, molet, platformat lundruese, zona e peshkimit etj,.

Zjarr Tv Ad