Në celularët e rusëve dhe ukrainasit të ndaluar në Gramsh dy ditë më parë janë gjetur informacione që kanë lidhje me sigurinë kombëtare.
Kështu ka deklaruar gazetarja Klodiana Lala ditën e sotme në News 24. Ajo tha se tre të rinjtë kanë hyrë në Shqipëri të ndarë dhe janë bashkuar në Tiranë ku kanë qëndruar për disa ditë në ambiente të ndryshme me qira.
“Ata kanë mbërritur nga tre pika të ndryshme të kalimit kufitar. Shtetasi ukrainas ka ardhur nga Porti i Durrësit. Vajza ka ardhur përmes Rinasit ndërsa rusi tjetër ka ardhur përmes Muriqanit. Automjeti është i regjistruar në vitin 2018 në Kharkiv. Është aksidentuar dhe më pas është blerë nga 25-vjeçari ukrainas. Kanë qëndruar për disa ditë në Tiranë me qira ditore. Bëhet fjalë për një çështje serioze dhe komplekse.
Sipas grupit të hetimit fakti që kanë hyrë nga pika të ndryshme kufitare ngre dyshime. Janë bashkuar në Tiranë. Në telefonat e tyre celularë janë gjetur komunikime me shtetas të huaj ku kanë shkëmbyer informacione që lidhen me sigurinë kombëtare. Janë tradhtuar nga aparatët fotografikë. Nuk kanë pasur vetëm pamje të uzinës së Gramshit por edhe të disa veprave energjetike në Shqipëri që konsiderohen vepra me rëndësi të veçantë ndaj të cilave mund të bëhen sabotazh. Pikëpyetje është se cili është qëllimi”, u shpreh Lala.
Ajo theksoi se uzina në Gramsh është në gjendje mjaft të amortizuar ndërsa tabela që tregon objektin është e ndryshkur. “Uzina në Gramsh sot nuk prodhon asgjë. Demontimi është në një sasi shumë të vogël. E dyta po të shkoje në Gramsh, aty është shkatërruar dhe kemi një vepër që nuk thotë asgjë. Edhe tabela që tregon që kemi të bëjmë me bazë ushtarake është e ndryshkur”, tha ajo.