Të rrëzuara nga sheshet e Tiranës gjatë lëvizjeve të vitit 1990, statujat e Stalinit dhe Leninit janë rishfaqur të ekspozuara në vilën qeveritare që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit – një akt i gabuar dhe fyes sipas njerëzve që vuajtën pasojat e diktaturës.
Nga Blerina Gjoka
Një statujë bronxi e Josif Stalin vështron mbi një rrugë të populluar të Tiranës nga brenda murit të një vile qeveritare – dikur shtëpi e ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu në lagjen e ish-Bllokut. Statuja qëndron pas një ZIS-i, makinë e përdorur nga ish-Sigurimi famëkeq, dhe pas tij me pak mundim mund të dallosh edhe një statujë të Leninit.
Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Shqipëri u frymëzua nga ish-udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik. Statujat u hoqën nga sheshet e Tiranës pas lëvizjeve anti-komuniste të vitit 1990 dhe qëndronin prej vitesh në oborrin e pasmë të Galerisë së Arteve.
Por ato janë shfaqur sërish të ekspozuara në oborrin e vilës që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit.
Endri Fuga, drejtor i Agjencisë për Mediat dhe Komunikimin nuk i dha një përgjigje shteruese motiveve të ekspozimit të statujave të Stalinit dhe Leninit në ambientet e vilës qeveritare.
“Është pjesë e një instalacioni më të madh se statuja e Stalinit,” tha Fuga për BIRN, pa dhënë detaje mbi autorin apo titullin e instalacionit apo vendosjen e tyre në një godinë shtetërore ku hyjnë e dalin delegacione të huaja.
Kur u pyet nëse ky ekspozim mund të kishte pasoja sensitive për viktimat e komunizmit, Fuga shtoi se: “nuk besoj se duhet gjykuar mbi një vepër arti me syzet e politikës”.
BIRN mësoi nga Ministria e Kulturës se statujat e Stalinit dhe Leninit janë pjesë e një fondi prej 100 veprash të Galerisë së Arteve, të cilat u zhvendosën që aty për shkak të rikonstruksionit të godinës. Një burim i tha BIRN se veprat ishin “marrë për ruajtje”, por është e paqartë se si statujat përfunduan të ekspozuara.
Njerëzit që vuajtën në mënyrë direkte nga regjimi i Hoxhës e konsiderojnë ekspozimin e statujave të Stalinit dhe Leninit një “fyerje për vuajtjen e tyre”.
Simon Mirakaj, jeta e të cilit u shënjua si ‘armik i popullit’ dhe kaloi në internim 44 vite, e cilëson shumë sensitive rikthimin e objekteve që glorifikojnë komunizmin.
“Ekspozimi i tyre është shumë sensitiv për ne dhe për të gjithë shqiptarët, pasi ata janë dy persona që kanë shkaktuar mjaft plagë në vendet e tyre dhe në vendet e tjera që kanë qenë në varësi të ish-Bashkimit Sovjetik,” tha Mirakaj për BIRN.
“Në Shqipëri, kampi famëkeq i Tepelenës që ka marrë shumë jetë njerëzish i përket pikërisht asaj periudhe të Stalinit,” shtoi ai.
Ekspozimin e statujave në një vend të dukshëm dhe pa shpjegimin e nevojshëm e sheh të gabuar edhe Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve të Komunizmit.
“Ka dy praktika për objekte të kësaj natyre; të shkatërrohen ose të ruhen dhe të ekspozohen në muze të posaçëm për komunizmin me sqarimet e caktuara ose galeri specifike, por nuk mund të ekspozohen në hapësira publike,” tha Hoxha për BIRN.
Hoxha thekson se kjo çështje duhej zgjidhur me një ligj për dekomunistizimin, i cili të ndalonte simbolet komuniste, objektet përfaqësuese dhe data përkujtimore të komunizmit.
Kastriot Dervishi, një studiues i periudhës së komunizmit theksoi gjithashtu se nuk ka bazë ligjore se çfarë duhet bërë me këto objekte.
Ndryshe, Mirakaj beson se statujat duhej të ishin shkatërruar ose të paktën të ruheshin në ndonjë magazinë si relike të krimit, por kurrsesi të ekspozoheshin.
“Për mua ato nuk duhen të ekzistojnë,”përfundoi ai./Reporter.al/