Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paguar në gusht të vitit të kaluar për shuarjen e zjarreve një helikopter që nuk ka fluturuar kurrë në hapësirën ajrore shqiptare, sipas të dhënave të regjistrit të AlbControl.
Kjo është gjetja e një raportimi auditimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer në AKMC për një tender të organizuar në gusht të vitit të kaluar me objekt fikjen e zjarreve që mbërthyen Gadishullin e Karaburinit në ato ditë.
KLSh thotë në raportin auditues se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile identifikoi katër kompani shqiptare për ofrimin e këtij shërbimi. Nga këto, tre kompani kthyen përgjigje duke deklaruar se nuk kishin helikopterë në gjendje për ndërhyrje të menjëhershme, siç kërkonte Agjencia.
Kompania e katërt, “Vivahelicopters” e regjistruar në QKR me numër NIPT M01624004A dhe e themeluar në prill të 2020, me objekt ndër të tjera edhe ofrimin e shërbimit për fikjen e zjarreve me helikopterë i ka kthyer përgjigje pozitive dhe e gatshme për të ndërhyrë përmes dy helikopterëve që do të mbërrinin nga Gjermania.
Pas kësaj përgjigjeje, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, më 3 gusht të 2021 i ka dërguar “ftesën për ofertë” me objekt “Fluturim për shuarjen e zjarreve nëpërmjet ajrit me helikopter, në zonat e prekura të Gadishullit të Karaburunit”.
Fondi limit i përcaktuar ishte rreth 48 mln lek dhe afati për kryerjen e shërbimit të kërkuar ishte dhjetëditor. Kompania ka dorëzuar ofertën për kryerjen e shërbimit me vlerë 405 mijë lekë për një orë. Shkresa e kompanisë është protokolluar në të njëjtën ditë, pra po më 3 gusht 2021.
Sipas dokumentacioneve shoqëruese të marrëveshjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, që është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes ka paguar rreth 360 mln lek për orë fluturimi dy helikopterë të kompanisë “Vivahelicopters”, ose rreth 180 mln euro një helikopter.
Por, KLSh thotë se nga verifikimi i regjistrit të AlbControl, rezulton që vetëm një helikopter ka fluturuar për shuarjen e zjarreve, jo dy.
“Nga të dhënat e AlbControlit, provohet që vetëm helikopteri AS350 D-DAHIQ është futur në datë 03.08.2021 në territorin e Republikës së Shqipërisë, pra nuk provohet që të jetë përdorur helikopteri D-HAIF siç paraqitet regjistri i orëve operacionale, regjistër i cili nuk përcakton tipin e helikopterit dhe numrin e serisë, por vetëm certifikatën e regjistrimit D-HAIQ, D-HAIF”, thotë KLSh në raport.
E nënvizuar gjetja e raportit auditues të KLSH-së
Shkelja tjetër që gjen KLSh është edhe një pagesë prej rreth 40 mijë eurosh, që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i ka kryer kompanisë duke llogaritur si orë pune edhe fluturimet e helikopterëve nga Gjermania në Shqipëri. Sipas KLSh, kjo pagesë është e paligjshme dhe duhet t’i merret kompanisë në fjalë e të depozitohet në buxhetin e shtetit, pasi në kontratën e nënshkruar thuhet se pagesat bëhen për orë pune dhe orë pune cilësohet koha e fluturimit të helikopterëve nga Baldushku në Vlorë, operimi atje dhe më pas rikthimi sërish në Baldushk.
KLSh ka gjetur gjithashtu edhe mangësi në dokumentacion, pasi oferta e kompanisë “Vivahelicopters” nuk shoqërohet me asnjë dokument nga ato që është kërkuar, vetëm cilëson: Bashkëlidhur ekstraktin e regjistrit tregtar, kontrata për shërbime të ngjashme dhe vetdeklarimi që mjetet janë në gjendje të mirë teknike dhe operatori zotëron të gjitha kapacitet ligjore dhe teknike për ushtrimin e aktivitetit, që në fakt nuk ka paraqitur:
“Licencën e operimit të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, specifikimet bashkëlidhur kësaj licence dhe certifikata e operatorit ajror, lejet e fluturimit për muajin gusht sipas datave lëshuar nga autoritet përkatëse, tipin e helikopterit/ose avionit, numrin anësor, kapaciteti i licencuar i ngarkesës (masa maksimale e ngritjes në kg), numri i vendeve (kapaciteti i liçensuar i vendeve), Manifesti (depozita e ujit në litra),viti i prodhimit, në pronësi ose me qira (për përdorim personal për kënaqësi, biznes, tregtar, me qira etj.
Sa helikopter vihen në dispozicion, si dhe të dhëna të tjera teknike të mjeteve ajrore)”, thotë KLSh.
Burimi: GazetaSi