Ambasada e Ukrainës në Shqipëri dhe ambasadori Volodymyr Shkurov në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, me rastin e 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, organizuan çeljen e një ekspozite fotografike mbresëlënëse në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
E titulluar “Kronikat e pushtimit rus të Ukrainës, 2022 – fillimi”, përmes pamjeve rrëqethëse, fotoreporterit Max Levin sjell atmosferën e barbarive të luftës së ndërmarrë nga Rusia ndaj një vendi sovran.
Të pranishmit, përmes fotove, u njohën me kaosin dhe pasojat shkatërrimtare të luftës: njerëz që humbën jetën nga bombardimet, të tjerë të plagosur e të gjakosur nga sulmet ajrore dhe predhat e artilerisë, nëna me fëmijë që vrapojnë drejt vendstrehimeve, radhë të gjata refugjatësh që duan t’u shpëtojnë tmerreve të luftës, pamje të tjera apokaliptike nga banesat e rrënuara, komplekset industriale, objektet strategjike dhe infrastrukturore. Të gjitha fotot kanë fiksuar çaste dhe histori prekëse nga drama e madhe që po përjeton Ukraina nga lufta e përgjakshme.
Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin qytetarë të Tiranës, personalitete të fushave të ndryshme, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Duke marrë fjalën në këtë veprimtari, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, shprehu një falënderim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe për Muzeun Historik Kombëtar që bëri të mundur çeljen e kësaj ekspozite.
Burimi: Syri.net