Presidenti Bajram Begaj pret në takim kryeministrin e Luksemburgut: Domethënëse mbështetja juaj për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka pritur sot në një takim kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca bëhet me dije se Begaj ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Begaj ka shprehur mirënjohjen për ndihmën e shtetit të Luksemburgut për përballimin e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

“Lidhur me procesin e integrimit evropian si dhe vëmendjen që shoqëria dhe institucionet shqiptare i kushtojnë atij, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë këtij procesi.

Presidenti tha se mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Begaj e ka falënderuar Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar që jeton e punon atje.

Ata kanë vënë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi si  vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Zjarr Tv Ad