Prokuroria e Kurbinit po kryen hetime për të hedhur dritë mbi fatin e Ervis Martinaj, nëse ka inskenuar zhdukjen e tij apo është rrëmbyer e vrarë nga kundërshtarët, ashtu siç pretendohet.
Krahas familjarëve Prokuroria po merr në pyetje të gjithë personat që mund të kenë dijeni para se ai të shkëpuste kontaktet me familjen dhe fati i tij të mbulohej nga misteri.
Gazetarja Klodiana Lala bën të ditur se krahas familjarëve, hetuesit po marrin në pyetje edhe të gjithë personat të cilët mund të kenë të informacione për lëvizjet e fundit të 40 vjeçarit, në kërkim ndërkombëtar, përpara se ai të shkëpuste kontaktet me familjen e tij dhe ngjarja të mbetej mister.
Pas arrestimit të agjentit të Forcës së posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte Martinajn, me qëllim që ky i fundit t’i shpëtonte aksioneve të policisë, prokurorët kanë rënë në gjurmët e një vajze, e cila ndodhej në shoqërinë e të shumëkërkuarit para ditë përpara se familjarët të denonconin zhdukjen e tij.
Shoqëruesja e Martinajt është marrë në pyetje nga prokurorët dhe ka pranuar se kishte që nga muaji janar i këtij viti që shoqërohej me të shumëkërkuarin, me të cilin sikurse deklaron ishte njohur përmes rrjeteve sociale.
“Herën e fundit që u takuam ishte mbrëmja e 5 gushtit. Një i njohur i tij na shoqëroi për në një hotel në Durrës. Qëndruam aty atë natë dhe të nesërmen na mori. Unë ika për në shtëpi. Dy ditët në vazhdim kam komunikuar me të, por më pas u shkëputën kontaktet”, ka thënë ajo.
Më tej ajo thotë se tentoi me çdo kusht të lidhej me Martinajn, por nuk mundi dot. Pas kësaj e reja ka kontaktuar me persona të afërt të tij, por sërish nuk ka mundur të mësoje asgjë për fatin e 40 vjeçarit.
Ndër të tjera vajza shprehet se nuk i dinte përplasjet e konfliktet e Martinajt dhe se sipas saj ai nuk ka shfaqur asnjë shqetësim gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë.