I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave.
Këto të fundit shkaktuan në tensione në fillim të këtij muaji, ndërsa Escobar thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme.
Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd në përfundim të vizitës në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, duke theksuar se të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara që të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë rrugë konstruktive përpara.
Escobar këmbënguli se palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme me theks të veçantë në marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pres që deri në fund të muajit, mbështetur në angazhimet e të dyja palëve dhe në punën e palodhshme të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore. Përtej kësaj, dialogu është ende duke vazhduar për të kërkuar opsione në pamje më të gjerë. Por, për të arritur atje, një nga pjesët më të rëndësishme të planit tonë, shpresës dhe aspiratës sonë është që të gjithë elementët e mëparshëm të dakorduar të dialogut dhe marrëveshjes të zbatohen, duke përfshirë edhe asociacionin e komunave serbe.
Ky ishte një mesazh që ia transmetuam qeverisë së Kosovës dy ditë më parë, është një mesazh që Sekretari i Shtetit ua transmetoi presidentes (së Kosovës, Vjosa) Osmani dhe kryeministrit (Albin) Kurti gjatë vizitës së tyre në Uashington kohët e fundit. Dhe kjo është ajo për të cilën ne do të vazhdojmë të këmbëngulim. Do të vazhdojmë të këmbëngulim që palët të përdorin dialogun si mekanizmin kryesor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, tha ai.
Ai nënvizoi se qeveria e Kosovës ka thënë se ka disa kufizime kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti është shprehur kundër themelimit të një Asociacioni një etnik dhe me çfarëdo përgjegjësish ekzekutive.
“Por qëndrimi ynë është se ata duhet të bëjnë një propozim. Nëse nuk u pëlqen propozimi serb, atëherë duhet ta bëjnë vetë propozimin”, u shpreh Escobar.
Ai dhe Lajçak kanë vazhduar gjatë natës diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vizitës në Kosovë ku takuan udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike për të diskutuar rrugën pas tensioneve në fundit ne veriun e Kosovës.