Qeveria ka prekur sërish reformën në drejtësi.
I miratuar me mbi 84 vota në 2016-n dhe i ndryshuar në vitin 2021 me votat e asaj që quhej opozita parlamentare, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kalojë sërish në votë, raporton Euronews.al.
Këtë radhë motiv i ndërhyrjes ka qenë opinioni i qytetarëve në procesin e këshillimit kombëtar, të cilët ishin pyetur nëse duheshin pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vetingun por që kishin marrë vendime haptazi në kundërshtim me ligjin.
E pikërisht për këtë kategori, ministria e drejtësisë propozon pezullim të menjëhershëm sapo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucioni ku punojnë apo dhe vetë ministria paraqesin ankesë.
Këshillat e prokurorisë dhe gjyqësor, duhet të mblidhen menjëherë dhe jo pas tre ditësh siç është aktualisht, duke i lënë mundësi shkelësit të japë argumentet e tij apo të vazhdojë të thellojë shkeljen.
Praktika ka treguar, thuhet në relacionin shoqërues të ligjit, se këshillat kanë pasur nevojë për hetim të thelluar derisa të vendosnin pezullimin.
Hetimi kryhej nga ILD dhe mund të zgjaste dhe deri një vit. Kohë gjatë së cilës, prokurori apo gjyqtari i akuzuar për shkelje qëndronte në detyrë me mundësinë e abuzimit apo zhdukjes së dokumentacionit.
Për të shmangur fenomene të tilla kërkohet ndryshimi i ligjit, i cili bëhet dhe me votat e opozitës. Gjatë periudhës së pezullimit megjithatë magjistratët, paguhen me 75% të pagës.
Burimi: Newsbomb