Nga arratisja tek momenti që filmohet në një hotel në Shqipëri. Kush është Faruk Fatih Ozer dhe pse kërkohej nga Turqia bosi i kriptomonedhave

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Themeluesi dhe drejtuesi i platformës së shkëmbimit të kriptovalutave Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kërkohej me njoftim të kuq ndërkombëtar nga Turqia, është arrestuar teksa qëndronte duke bërë plazh në një hotel në Jug të Shqipërisë, në qarkun e Vlorës.

Ai ishte në kërkim prej muajsh dhe mediat turke shkruanin se bosi i shumëkërkuar i Bitcoin dyshohet se strehohej në Shqipëri. Mediat turke publikuan dhe foton e bosit të kriptomonedhave i filmuar teksa hyn në një hotel në Shqipëri.

Faruk Fatih Özer dyshohet se ka mashtruar rreth 400 mijë persona nëpërmjet platformës “Thodex”, bursë kriptovalutash e themeluar në vitin 2017 në Turqi.

Prokuroria në Stamboll nisi hetimet kundër Özer, i cili dyshohet për krimin e “mashtrimit të kualifikuar”. Prokuroria turke më 22 prill ngriti akuza ndaj Ozer, mbi pretendimet se një numër i madh njerëzish janë dëmtuar për shkak të pamundësisë për të hyrë në faqen e internetit të kompanisë Thodex.

Hetimi nisi edhe pas lajmeve se ai ishte arratisur jashtë vendit duke mashtruar investitorët në shumën prej 2 miliardë dollarë. Në këtë kuadër Gjykata e Stambollit dha urdhrin e arrestit ndaj Özer për akuzat “mashtrim duke përdorur si mjet sistemet teknologjike, bankat ose institucionet e kredisë dhe formim të organizatës me qëllim kryerjen e krimit”.

Me udhëzim të Prokurorisë u krye kontroll në vendin e punës dhe u morën masa ndaj llogarive bankare të të dyshuarit.

Ministria e Brendshme turke në një shkresë më 22 prill 2021 konfirmoi se Özer ka udhëtuar nga Aeroporti i Stambollit drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës në Shqipëri dhe se ndodhej në këtë vend. Në këtë kuadër Prokuroria i përcolli Ministrisë së Brendshme dokumentet e nevojshme me qëllim për publikimin e (buletinit) njoftimit të kuq ndaj Özer.

Lidhur me skemën e mashtrimit, në Turqi u arrestuan dhjetra persona. Gjashtë nga të dyshuarit e arrestuar, përfshirë vëllain e Faruk Fatih Özer-it, Güven Özer, dhe motrën Serap Özer, janë mbajtur në paraburgim, raporton Anadollu Agency dhe të gjithë të dyshuarit e tjerë janë lënë të lirë, përfshirë 35 me kusht të kontrollit gjyqësor.

 Kush është Faruk Fatih Ozer?

Faruk Fatih Ozer është konsideruar si një prej mashtruesve më të mëdhenj të historisë, që zhvati rreth 350 mijë investitorë, pjesa më e madhe të të cilëve ishin nga Turqia me kriptovaluta dhe platformën “Thodex”.

Ozer ishte themeluesi i kriptovalutës “Thodex”, e cila shpalli falimentin një vit me parë, duke shkaktuar një dëm prej rreth 2 miliardë dollarë.

Faruk Fatih Ozer është vënë nën hetim në prill të vitit 2021, pasi Kryeprokurori Publik i Anadollit njoftoi se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre në platformën të quajtur “Thodex”. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke. Ozer dyshohet se lëvizte gjithmonë me një hard disk me vlerën e 108 milion dollarëve.

Në vitin 2017, Faruk Fatih Ozer themeloi kompaninë “Thodex” nëpërmje të të cilës investitorë të ndryshëm virtual kishin llogaritë e tyre dhe me të cilat, blenin dhe shesin kriptovaluta. Në THODEX ishin gjithsej 400 mijë llogari dhe 391 mijë investitorë aktivë, duke pasur një vëllim mujor transaksioni prej 100 miliardë lira, afërsisht 12 miliardë dollarë.

Mediat turke e kanë cilësuar si Faruk Fatih Ozer si personin që ka kryer mashtrimin më të madhe në historinë e Turqisë me vlerë 2 miliardë dollarë.

Në prill të vitit 2021, Faruk Fatih Ozer është raportuar se është filmuar në Shqipëri.

Ndërkohë që ditën e sotme, është bërë e mundur ndalimi i Ozer në qytetin bregdetar të Vlorës. Ai ishte më pushime, ndërkohë që jetonte në një banesë në Elbasan në lagjen 5 maji.

Burimi: Panorama.al

Zjarr Tv Ad