Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka ironizuar rikthimin në krye të IKMT-së të Dallëndyshe Bicit, e cila ka një dosje të hapur në prokurori për ndërtimet në bregdet.
Gjekmarkaj deklaron se Bici e ka konsumuar pa lavdi drejtimin e këtij institucioni njëherë dhe u dërgua si zv. Ministre Mbrojtje dhe tani sipas tij rikthehet për shërbime militante.
“Emërime të çuditshme dhe provokuese po shohim ditët e fundit në postet e larta! Shkëlqen mbi të gjitha rasti i Dallëndyshe Bicit e cila po hetohet nga prokuroria për shembje të paligjshme të ndërtimeve me leje.
Zonja në fjalë e ka konsumuar pa lavdi drejtimin e INUK njëherë dhe u dërgua si zv. Ministre Mbrojtje dhe tani rimerret nga ajo rehati për t’u rikthyer në krye të INUK me gjasë për shërbime militante si çekan mbi kryet e atyre që nuk janë në sintoni me qeverinë.
Këta janë shembuj se si administrata shndërrohet në kamikaze politike duke i dhënë status pushtetit që shkatërron shtetin”, deklaron Gjekmarkaj.