Jeton Lami, agjenti i Operacionales që u arrestua pak ditë më parë pasi dyshohet se kishte transportuar me makinë Ervis Martinajn, ka pasur një takim kokë më kokë me ish-kryepolicin Gledis Nano.
Gazetari Elton Qyno ka deklaruar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” se takimi është bërë pas ndalimit të Lamit për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj tij për lidhjet me të shumëkërkuarin e policisë.
Ai shton se në takimin që ka zgjatur 2 orë e gjysmë Lami dyshohet të ketë folur për emra dhe rrethana që kanë të bëjnë me lëvizjet e fundit të Martinajt. Qyno tha se Lami është një person me një rol kyç edhe në masakrën e Fushë Krujës ku u vra Brilant Martinaj.
“Jeton Lami ka zhvilluar një takim dy orë e gjysmë me Gledis Nanon. I ka kërkuar ndjesë dhe ka folur për emra të tjerë të përfshirë. Dyshimet janë se ka pasur diskutime edhe për rrethanat ku mund ta ketë dërguar Ervis Martinajn.
Biseda është bërë tek për tek në zyrën e Gledis Nanos. Kontaktin pas arrestimit e ka zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm të policisë që ishte në detyrë. Lami është një person që ka një rol në ngjarjen e ndodhur në Fushë Krujë ku u vra Brilant Martinaj”, deklaroi ai.