Përballë rritjes së çmimeve vendet e Bashkimit Europian kanë nisur të marrin masa për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.
Priten vendimet e takimit të ministrave të energjisë më 9 shtator si dhe deklaratat e presidentes Ursula von der Leyen më 14 shtator në lidhje me propozimet e Komisionit Evropian për vendosjen e një tavani mbi çmimet e energjisë.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme do të shqyrtohen propozime të tilla si vendosja e një çmimi tavan për çmimin e gazit për prodhimin e energjisë elektrike ose ndërhyrjet për të parandaluar keqfunksionimin e tregut siç shpjegoi në fillim të kësaj jave ministri çek Jozef Sikela, duke theksuar se “zgjidhja në nivel europian është është më e mira që kemi”.
Ndihma emergjente për familjet dhe bizneset në Itali
Italia po përpiqet të përballojë rritjen e vazhdueshme të çmimeve në sektorin e energjisë me një sërë masash.
Qeveria e kryeministrit italian Mario Draghi ka miratuar që nga fillimi i vitit ndihma urgjente për familjet dhe bizneset e vendit, një total pesëdhjetë miliardë euro. Ndër të tjera, ai uli taksat shtetërore për karburantet me tridhjetë cent për litër, miratoi rimbursimet e taksave për bizneset që konsumojnë një sasi të madhe gazi natyror, si dhe uljen e TVSH-së në 5% për faturat e gazit dhe energjisë elektrike për tridhjetë milionë familje dhe gjashtë milionë ndërmarrje tregtare.
Në të njëjtën kohë, qeveria Draghi ndërmori një hap të madh për taksimin e fitimeve të tepërta të kompanive të energjisë. Por, për momentin, nga gjithsej borxhet ndaj publikut që llogariteshin në dhjetë miliardë euro, vetëm një miliard është paguar në arkën e shtetit.
Italia po përgatitet të miratojë masa të reja mbështetëse, të cilat pritet të arrijnë rreth dhjetë miliardë euro. Megjithatë, kryeministri italian kërkon të shmangë me çdo kusht rritjen e deficitit publik dhe për këtë arsye “drita jeshile” përfundimtare në paketën e masave për lehtësimin e qytetarëve dhe bizneseve ka vonuar.
Për sa i përket kursimit të energjisë, për momentin, rregullat e reja kanë të bëjnë vetëm me ndërtesat publike dhe ato shtetërore, parashikohet që temperatura e kondicionerit të mos jetë më e ulët se njëzet e pesë gradë dhe e radiatorit më e lartë se njëzet e një.
Sipas deklaratave të ministrit të Energjisë Roberto Cingolani, në ditët në vijim do të miratohet një dekret i ri i qeverisë, i cili do të ketë të bëjë me sektorin privat dhe banesat private.
Sa i përket nismave në nivel europian dhe takimit të ministrave të energjisë më 9 shtator, qeveria Draghi vazhdon të këmbëngulë për miratimin e një tavani europian për çmimin e gazit natyror.
‘Fundi i bollëkut dhe pakujdesisë’ në Francë
Me presidentin francez Emmanuel Macron që tashmë deklaron ‘fundin e bollëkut dhe pakujdesisë’ Franca po përgatitet për atë që pa dyshim do të jetë një dimër ‘i vështirë’, ku askush nuk mund të parashikojë përmasat e vështirësive.
E vetmja gjë që është e sigurt është se reaktorët bërthamorë francezë do të punojnë tani e tutje “me kapacitet të plotë”. Vetëm se kjo vlen për gjysmën e atyre që ekzistojnë në vend, pasi gjysma tjetër janë jashtë funksionit për arsye mirëmbajtjeje.
Ajo që është gjithashtu e sigurt është se prodhimi i energjisë me qymyr do të rritet, gjë që pak a shumë do të ndodhë në shumicën e vendeve evropiane, pavarësisht marrëveshjeve ekzistuese për ndryshimet klimatike.
Një vlerësim i parë i vështirësive që do të lindin me ardhjen e dimrit nisi të analizohej të premten në Paris, ku Macron mblodhi të ashtuquajturin Këshill të Mbrojtjes për t’u marrë me krizën energjetike.
Më i keqi nga skenarët e diskutuar, ai i ndërprerjes së plotë të gazit rus i kombinuar me një dimër të ashpër me temperatura të ulëta, nuk përjashton as ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të familjeve për disa orë në ditë. Ministrat përkatës argumentojnë se kjo ndoshta do të shmanget, megjithatë, pa zbutur shqetësimet e arsyeshme të francezit me të ardhura mesatare.
Sa u përket familjeve, është gjithashtu e sigurt që shumë prej tyre do të marrin ende mbështetje financiare në vitin 2023 për t’u përballur. rritjen e çmimeve të energjisë.
Franca pret vendime konkrete nga Këshilli i Ministrave të Energjisë së BE-së që do të bëhet më 9 shtator. Qëllimi i tij është të vendosë një tavan pevropian për çmimet e gazit natyror, diçka që deri tani ka qenë jashtë diskutimit dhe një tabu për Evropën. Por kohët po ndryshojnë, argumenton Parisi.