Disa orë shi i dendur ka sjellë përmbytje në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat përreth. Banorët në fshatin Bleran shprehen se uji ka hyrë brenda banesave të tyre duke shkatërruar gjithçka u ka dalë para.
Reshjet kanë shkaktuar dëme të mëdha duke shembur avllitë dhe trotuaret, si edhe duke përmbytur makina e banesa. Një banore u shpreh se kishin frikë për jetën dhe fëmijët e tyre, pasi po mbyteshin në shtëpi për shkak të reshjeve të dendura.
“Gjithçka që ka shtëpia brenda është përmbysur, makina, gjithçka. Uji ishte 1.5 metra, kanali nuk është pastruar prej 30 vitesh”, tha një banor.
“Vetëm për votime vijnë pushtetarët këtu. Nuk pastrojnë kanale, të rregullojnë rrugë e drita, vetëm çfarë investojnë vetë banorët. Në Kabul janë më mirë se sa këtu. Përmbytja ka ndodhur sepse nuk janë pastruar kanalet. Ka pasur përmbytje, por kjo katastrofë s’ka ndodhur ndonjëherë”, tha një banor tjetër.
“Në orën 3 të natës jemi përmbytur. 1 metër e gjysmë na ka ardhur uji brenda. Policia tha që s’kemi punëtor për të ardhur t’ju ndihmojnë. Po mbyteshim së bashku me fëmijë brenda, ne s’kemi shtet. Makinat janë përmbytur, janë shembur avllitë. Fëmijët u tmerruan, të shohësh fëmijët të mbyten ujë dhe s’na ka ardhur njeri të na ndihmojë”, tregoi gruaja.
Burimi:Panorama.al